Elena Sadiku shkruan historinë, merr drejtimin e Celticut
Elena Sadiku është emëruar trajnere te ekipi i vajzave të Celticut.
Klubi skocez ka njoftuar zyrtarisht këtë të premte për arritjen e marrëveshjes me shqiptaren.
Sadiku ka nënshkruar kontratë të vlefshme për dy vite e gjysmë.
Me këtë rast ajo shkroi edhe historinë, duke u bërë gruaja e parë që emërohet trajnere e ekipit të Celticut.
Elena do të fillojë në rolin e ri të hënën, me David Haley, i cili do të vazhdojë në rolin e asistentit.
30-vjeçarja së fundmi ishte trajnere në akademinë e klubit të Evertonit.
“Kjo është një ditë kaq e mrekullueshme për mua dhe familjen time, për t’u bashkuar me një klub si Celtic në një kohë kaq emocionuese për ekipin tonë të vajzave. Është një nder i vërtetë që më jepet kjo mundësi e mrekullueshme dhe mezi pres të filloj, veçanërisht me kaq shumë lojëra të rëndësishme që vijnë”, tha fillimisht ajo për faqen zyrtare të Celticut.
“Liga në Skoci është zhvilluar vërtet në vitet e fundit dhe unë kam parë që skuadra në Celtic ka pasur sukses të madh. Roli im tani është të vazhdoj këtë, duke punuar për dhe me lojtaret për të arritur suksese më të mëdha në aspektin e ligës dhe kompeticioneve evropiane në veçanti. Gjithashtu e shijoj mundësinë për të zhvilluar dhe rritur strukturën dhe mjedisin më të gjerë në të gjitha ekipet dhe akademinë tonë.Do të sjell pasion, energji dhe përkushtim në këtë rol dhe mezi pres të fillojë”, deklaroi Sadiku.
Si futbolliste profesioniste, Elena Sadiku ka luajtur te FC Rosengård, Kristianstad DFF, Eskilstuna United dhe Hammarby IF, Elena gjithashtu përfaqësoi Suedinë në grupmosha të ndryshme përpara se të detyrohej të tërhiqej nga futbolli në moshën 23-vjeçare për shkak të lëndimit.
Duke e kthyer vëmendjen e saj të plotë për t’u bërë një trajnere e suksesshme, ajo bëri përvojë në të gjitha nivelet e lojës, që nga ngritja e strukturës së Akademisë së Vajzave në Hammarby IF deri tek trajnere e kampionëve suedez me FC Rosengård, si dhe fitimi i përvojës në Ligën e Kampionëve me Fortuna Hjørring.