ELEONORA CATANZARO
Eleonora Catanzaro, poete italiane, filloi të shkruajë shumë herët. Kurrë nuk shkroi për shkak se donte apo duhej, por vetëm se e ndiente impulsin, nevojën, pa menduar për imagjinatën apo ëndrrat, emocionet, pa dalluar nëse ato erdhën prej saj apo nga kushedi kush.
ATA QË…
Ne, me barkun plot,
ku i kuptojmë ata, ata që me uri
bëjnë sistemin e jetës?
Ne të ngopurit nuk duhet të jemi fatalistë si ata.
Ne duhet të kufizohemi
sikur që shpesh bëjmë
të rrokullisemi në plehun tonë të padobishëm dhe të bollshëm.
Ndërsa, ashtu si ata,
ata që jetojnë në uri,
ata që vdesin në rrugë
madje nuk kalben
nuk kanë tjetër pos eshtrave
ashtu si ata, fatalisht
edhe ne jetojmë
padobishëm në sipërbollëkun tonë
I VERBËR
I plagosur për asgjë,
pa motive,
i gjuajtur goxha gjatë,
për shumë padobi i vrarë.
Ushtar i jetës, je shumë i ri:
duhet të mësosh.
I verbër është armiku yt që të sulmon i pari,
jo për t’u mbrojtur… pa pyetur se kush je,
të vret pa të parë.
I verbër është miku yt,
që nuk të pranon për atë që je
po s’ia puthe këmbët.
Të gjithë janë të njëjtë ata
që duan vdekjen tënde
në këmbim të jetës së tyre.
Ik, ushtar, nga ata që të vrasin për të mirën tënde.
Nëse je i detyruar kthejua plumbin me plumb,
mos u bë i verbër edhe ti:
mos vrit pa shkas.
(Përktheu nga italishtja, për revistën “Akademia”, Leonora Buçinca)