Elezaj: Dukagjini i vendosur për Superligë

25 korrik 2018 | 13:26

Dukagjini i Klinës, me transferimin e yjeve Mark Milicaj, Dugagjin Gashi, Granit Arifaj dhe Altin Merlaku, ka konfirmuar se synon ta shkruajë historinë në futbollin e Kosovës, duke u inkuadruar për herë të parë në elitë.

KF Dukagjini e ka bërë një organizim të jashtëzakonshëm pas përfundimit të edicionit 2017/2018 me qëllim të inkuadrimit në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Trajneri Severin Elezaj të martën për “Epokën e re” ka folur për atmosferën në skuadrën nga Dukagjini, duke thënë se është e jashtëzakonshme, për faktin se futbollistët vendorë janë mjaft mikpritës.

“Për atmosferën ne si klub jemi kujdesur çdoherë që të jetë e përshtatshme për çdo futbollist. Këtë gjë e kemi arritur të gjithë së bashku si kryesi, staf i trajnerëve dhe futbollistët vendorë që vërtet janë të talentuar dhe mirëpritës për të gjithë që ia duan të mirën klubit. Ardhjet e reja e kanë shtuar entuziazmin dhe konkurrencën në klub, që është një gjë shumë pozitive”, ka thënë ai.

Dukagjini ka bërë transferime të mëdha në këtë afat kalimtar duke arritur marrëveshje me Mark Milicajn, Dugagjin Gashin, Granit Arifajn dhe futbollistë të tjerë, kurse trajneri Elezaj konfirmon se inkuadrimi në elitë është qëllimi i të gjithëve në klub. “Emrat të cilët i kemi ofruar në klubin tonë janë vërtet futbollistë të njohur për opinionin sportdashës në Kosovë. Besoj se do t’ia arrijmë synimit të inkuadrohem në Superligë pas ardhjes së emrave si Milicaj, Gashi, Hajrizaj, Arifaj, Merlaku, Beqiri dhe Maloku, por pa harruar edhe lojtarët vendorë të cilët janë shumë të talentuar”, ka thënë”, ka thënë Elezaj.

Skuadra nga Klina e ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e Trepçës ’89 dhe tash pritet të zhvillojë edhe ndeshje të tjera miqësore.

“E falënderoj 89-shin për pritjen dhe ftesën për ndeshjen miqësore, kurse ne planifikojmë të zhvillojmë edhe disa ndeshje të tjera. Për këtë jemi në kontakt me klube nga Liga e Parë dhe Superliga. Ndërsa sa iu përket përgatitjeve, jemi në kërkim të një vendi sa më të përshtatshëm”, ka shtuar ai. “Për këtë organizim të mirë ka ardhur përkrahja e kryetarit të Klinës,  prof. Zenun Elezaj, kryetarit të klubit, Binak Kalludra, si dhe nga njeriu që vërtet po bën shumë për futbollin klinas, drejtori i klubit, Fabian Veselaj dhe kryesia në përgjithësi”, ka deklaruar ai.

Në fund Elezaj ka folur edhe për skuadrat që janë pretendente për inkuadrim në elitë. Ai ka thënë se Vëllaznimi, Besa dhe Vushtrria janë skuadrat që do ta kenë fjalën kryesore në Ligën e Parë.

“Është pak herët të flitet për skuadrat pretendente, por mendoj se pa e përmendur Dukagjinin kemi skuadra vërtet shumë të mira dhe do të jetë një garë e nxehtë dhe shumë interesante. Në këtë garë do të hyjnë klube që vërtet janë të organizuara mirë dhe me lojtarë shumë të talentuar si Vëllaznimi, Besa, Vushtrria, pa harruar edhe klubet e tjera që kanë organizim dhe lojtarë të mirë në radhët e tyre”, ka përfunduar Elezaj.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me largimin e flakëve, niveli i shkatërrimit shfaqet para syve…