Elezaj: Klina është e interesuar për të promovuar bizneset
Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është takuar të enjten me udhëheqësit e Aleancës Kosovare të Biznesit, kryetarin Agim Shahini dhe Lumnije Ajdini, me të cilët ka diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për të ndihmuar bizneset vendore, promovimin dhe krijimin e kushteve për investitorë të jashtëm.
Elezaj ka treguar se Klina është e interesuar të bëjë promovimin e resurseve biznesore që ka kjo komunë, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe krijimin e kushteve të favorshme për investitorë të huaj.
Më tutje, Elezaj dhe Shahini, kanë biseduar edhe për krijimin e lehtësirave për bizneset, derisa është kërkuar që taksat që paguajnë në TVSh dhe Doganë bizneset e Klinës të derdhen në buxhetin e kësaj komune.
“Qëllimi ynë i përbashkët është që të dëgjohet zëri i bizneseve dhe bashkërisht të harmonizohen qëndrimet. Duhet punuar edhe në luftimin e informalitetit. Bashkërisht do të fillojmë që Klinën ta promovojmë edhe në arenën ndërkombëtare”, është thënë ndër të tjera në këtë takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të biznesit.