Elezaj: ‘Ora e Tahir Deskut’ është ditë përkujtimi dhe nderimi
Fjala e rastit e kryetarit të komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në manifestimin tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”, i cili është mbajtur sot në Asamblenë Komunale të Klinës
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Prozatorë dhe poetë,
Miq dhe dashamirë të letërsisë dhe të Tahir Deskut,
Mirë se keni ardhur në edicionin e ri të manifestimit tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”!
Manifestimet letrare, kudo dhe kurdo që organizohen, na mbushin përplot emocione, na bëjnë më të ndjeshëm, më kreativë, më njerëzorë, më të dashur e më të shoqërueshëm.
Dita e sotme në Klinë nuk është vetëm festë libri mes nesh. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për Tahir Deskun. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për sakrificën e madhe të shkrimtarëve ndër dekada. Është ditë kujtimi për shtegtimin e librit shqip. Sot është ora e shkrimtarit Tahir Desku që ecën paralelisht me orën tuaj, me shqetësimet tuaja, me gëzimet tuaja, me emocionet tuaja, me reagimet tuaja.
Secila orë e shkrimtarit që organizohet në Kosovë është e ndryshme prej sonës që organizojmë sot në Klinë me emrin e ish-luftëtarit të lirisë, të gazetarit dhe të poetit Tahir Desku, i cili plagëve të luftës, edhe dashurisë, u ka kënduar orë e çast maleve të Drenicës, të Dukagjinit, rrugëve të Kosovës, të Evropës e të Amerikës.
Në çdo edicion të ri këtë manifestim po përpiqemi ta bëjmë më madhështor dhe më të mirë edhe me përkrahjen e tuaj. Prandaj, ju shpreh falënderime të përzemërta që sot keni ardhur në Klinë për përkujtim, nderim dhe takim. Gjithashtu, më bëhet shumë qejfi që sivjet anëtar jurie për çmimin letrar “Ora e Tahir Deskut” është miku i tij Adem Gashi, vite më parë laureat i këtij çmimi, i cili, si askush tjetër, e njeh krijimtarinë poetike të tij, sepse ka bashkëpunuar gjatë me të, edhe gjatë procesit krijues.
Në manifestimin tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut” disa vjet me radhë kanë ardhur krijues nga të gjitha trevat shqiptare. Poetë dhe prozatorë janë nderuar me çmime të ndryshme e shumë të tjerë kanë marrë lëvdata për poezitë, për tregimet, për romanet. Keni ardhur edhe ju sot e do të vijnë edhe të tjerë pas jush me vepra arti në duar për ta paraqitur talentin, ndonjëri edhe për ta nisur rrugën e poetit.
Sigurisht sot do të ndiejmë kënaqësi dëgjimi derisa interpretoni vargjet tuaja të shkruara.
Ju dëshiroj mbarësi në punë dhe krijimtari!