Elezaj paralajmëron ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë

02 dhjetor 2021 | 09:46

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka shprehur pakënaqësi pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë dhe trupit të njëjtë gjykues, i cili, sipas tij, “vitin që shkoi gjeti arsye të më shpallë fajtor për vepër penale të konfliktit të interesit, sërish më ka shpallur fajtor për të njëjtën vepër, por tani nuk paska gjetur arsye të ma ndalojë ushtrimin e funksionit të detyrës në institucione publike”.

Më poshtë paralajmërimi i kryetari Elezaj për ankesë ndaj këtij trupi gjykues.

Për palët që kanë interes

Sot Gjykata Themelore në Pejë, trupi i njëjtë gjykues në vitin që shkoi gjeti arsye të më shpallë fajtor për vepër penale të konfliktit të interesit, sërish më ka shpallur fajtor për të njëjtën vepër, por tani nuk paska gjetur arsye të ma ndalojë ushtrimin e funksionit të detyrës në institucione publike.

Po mendohem çfarë ndryshoi nga vendimi i datës 29 dhjetor 2020 nga ai sot?

Ka ndryshuar vetëm fakti se sot gjykata, para se ta shpallë vendimin, ka pasur edhe dy deklarata më shumë dhe të dyja shfajësuese.

Këto prova janë kërkuar nga Gjykata e Apelit si udhëzime për Gjykatën Themelore në Pejë që t’i vlerësojë ato.

Me provat që ka pasur gjykata është dashur të më lirojë.

Këtë vendim sot, pas rigjykimit, s’kam si ta kuptoj ndryshe, përpos si vendim i pastër politik, për fatin tim të mirë që afatet kohore nuk janë përshtatur me zgjedhjet lokale, se forca të errëta, që duket se e kanë prekur edhe gjykatën në Pejë, do ta shfrytëzonin këtë mundësi politike duke e vënë gjykatën në shërbim politik.

Pasi të pranojmë vendimin me shkrim avokati Kujtim Kërveshi do të paraqesë ankesë.

Pres nga Gjykata e Apelit që t’i përmbahet standardit profesional të vendosur në aktvendimin e saj kur prishi aktgjykimin e parë të këtij trupi gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë. Pres nga kjo gjykatë të na ofrojë siguri juridike, atë që dy herë nuk e gjeta nga i njëjti trup gjykues në Gjykatën Themelore në Pejë.

Sinqerisht,

Zenun Elezaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
XHEVDET BAJRAJ Më zuri gjumi në bregun e ëndrrës Ka…