Elezaj premton përkrahje për Qendrën e Punës Sociale në Klinë
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë, Hekuran Sejdiu, dhe ai i Administratës, Binak Syla, kanë vizituar Qendrën për Punë Sociale në Klinë, ku janë pritur nga drejtori i kësaj qendre, Ilir Bacaj.
Drejtori Bacaj ka falënderuar kryetarin Elezaj për vizitën e realizuar dhe për mbështetjen e dhënë këtij institucioni për krijimin e kushteve të favorshme të punës. Po ashtu, Bacaj ka njoftuar kryetarin Elezaj për aktivitetet e realizuara dhe angazhimet gjatë vitit 2019 dhe për sfidat më të cilat ballafaqohet ky institucion gjatë ofrimit të shërbimeve për familjet në nevojë.
Ndërsa kryetari Elezaj, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm rolin që ka ky institucion për familjet dhe personat në nevojë për përmbushjen e kërkesave të tyre, ka premtuar se edhe gjatë vitit 2020 do të mbështesë Qendrën për Punë Sociale, nëpërmjet projekteve të ndryshme, me qëllim që të krijohen mundësi për përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga ky institucion dhe të shtohet përkujdesja ndaj personave në nevojë.
/Epoka e re/