Elezaj premton përkrahje për sistemin arsimor në Klinë
Me rastin e fillimit të mësimit në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2017/2018, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Arben Limani dhe ai i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Naser Morina, kanë vizituar të hënën shkollën fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë dhe paralelen e ndarë “Dëshmorët” në Perçevë.
Kryetari Elezaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, kanë parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet mësimi në këto dy institucione të dijës dhe kanë uruar arsimtarët dhe nxënësit për fillimin e mësimit duke i inkurajuar ata në punën e tyre të palodhshme në edukimin e brezave të rinj.
Drejtorët e këtyre dy shkollave, Miftar Hasanaj i Gllarevës dhe Enver Berisha i Perçevës, kanë njoftuar se mësimi ka nisur mbarë dhe kanë falënderuar ata për vizitën.
Elezaj ndër të tjera ka premtuar se prioritet i qeverisjes lokale është përkrahja e sistemit të arsimit, qoftë në infrastrukturë dhe pajisjen me mjete të nevojshme, sidomos në kabinete të informatikës dhe për lëndët tjera të nevojshme.