Elezi i KQZ-së e konfirmon: Erdhen 36,500 pako me fletëvotime nga Gjermania dhe Zvicra
Mbrëmjen e sotme kanë arritur votat e para nga diaspora në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Përmes një njoftimi, Elezi ka bërë të ditur se janë sjellur 36 mijë e 500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.
“Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, u shpreh Elezi.
Elezi shtoi se aktualisht është duke vijuar periudha e votimit përmes postës, e cila do të vlejë deri më 8 shkurt.
“Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025”, përfundoi Elezi.