Elezi: Materialet zgjedhore për votimin jashtë vendit kanë statusin e dërgesës diplomatike

27 nëntor 2024 | 18:20

Materialet zgjedhore që kanë të bëjnë me votimin jashtë vendit, kanë statusin e dërgesës diplomatike dhe pas përfundimit të procesit të votimit kthehen në Kosovë.

Kështu ka thënë për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka njoftuar se në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar specifikat për shërbimet postare për votimin jashtë vendit në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

“Me anë të këtij dokumenti, specifikohen çështje që kanë të bëjnë me dërgimin dhe kthimin e materialeve zgjedhore për procesin zgjedhor jashtë Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, materialet zgjedhore që kanë të bëjnë me votimin jashtë vendit, kanë statusin e dërgesës diplomatike dhe pas përfundimit të procesit të votimit kthehen në Kosovë.”, tha ai.

Elezi ka sqaruar se në mesin e materialeve zgjedhore të cilat dërgohen në përfaqësi diplomatike në të cilat organizohet votimi janë: kutitë e votimit, kabinat e votimit, fletëvotimet, distinktivët për kryesuesin dhe anëtarët e KVV, vula për vulosjen e fletëvotimit, lidhëset e sigurisë që përmbajnë numrat serik, formularin e raportimit të daljes së votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas mbylljes së vendvotimit, librin e votimit, formularin e përputhjes së të dhënave dhe materiale të tjera që lidhen me procesin zgjedhor, etj.

Elezi ka treguar se me dokumentin e miratuar sot parashihen edhe specifikat për dërgimin në Kosovë të pakove me fletëvotime dhe të materialeve tjera zgjedhore nga kutitë postare jashtë që do të hapen në 22 shtete.

“Kutitë postare jashtë Kosovës shërbejnë për të mundësuar votimin për shtetasit që janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.”, ka thënë Elezi./Reporteri.net/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, dha disa deklarata nga…