Elezi: Mbi 25 mijë votues nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit

04 dhjetor 2024 | 15:33

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se është duke vazhduar periudha e aplikimit për resgjitimin e votuesve jashtë Kosovës.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se deri me tani kanë pranuar mbi 25 mijë kërkesa, ku prej tyre janë pranuar mbi 23 mijë të tilla.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 3 dhjetor, përmes platformës elektronike (http://diaspora.kqz-ks.org), janë pranuar më shumë se 25 100 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 23 618 ndërsa 1 525 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.  Nga 23 618 aplikime të aprovuara, 6 228 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 3 575 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 13 815 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka njoftuar Elezi.

Ai ka thënë se “është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues”. “Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ-ja i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar në http://diaspora.kqz-ks.org”, ka theksuar Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, zyrtari i lartë i PDK-së,…