Eliminimi nga Kupa ua “mbyll” gojën futbollistëve të Gjilanit
KF Gjilani është eliminuar nga Kupa e Kosovës në futboll, kurse sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e katërt. Futbollistët nuk kanë pranuar të flasin për gazetë, kurse trajneri Sadat Pajaziti e ka pranuar se Gjilani nuk e meritoi kualifikimin në çerekfinale të Kupës.
Skuadra e Gjilanit është eliminuar në 1/8 e finales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, pasi ka pësuar humbje nga Ballkani i Suharekës (3-0). Këtë eliminim skuadra nga Anamorava e ka pranuar shumë rënd, çfarë dëshmon edhe heshtja e futbollistëve të kësaj skuadre. Gazeta ka kontaktuar dy nga futbollistët e kësaj skuadre të cilët nuk kanë qenë të gatshëm të japin deklarata lidhur me eliminimin dhe rezultatet e skuadrës në sezonin vjeshtor. Ata kanë thënë se situata në klub nuk është aspak e mirë dhe se tash për tash nuk duan të flasin për medie.
Gazeta provoi të marrë një deklaratë edhe nga trajneri Sadat Pajaziti, por kjo ka qenë e pamundur, derisa vetë strategu nga Lugina e Preshevës, menjëherë pas eliminimit nga Kupa, e kishte pranuar se kjo skuadër nuk e ka merituar të kualifikohet më lart në garën e Kupës. “Më vjen keq vetëm për këta tifozë që po na përkrahin gjatë gjithë kohës, por ky ekip nuk meriton të shkojë më larg”, kishte deklaruar Pajaziti, i cili me këtë rast kishte bërë me dije se skuadrës së Gjilanit i duhet kohë për ta fituar titullin e kampiones apo Kupën. “Ne duhet të sjellim përforcime më cilësore dhe brenda 2-3 vjetëve të ndërtojmë filozofinë e lojës dhe t’ua sjellim tifozëve titullin kampion”, kishte thënë Pajaziti.
Risi tjetër në skuadrën e Gjilanit ka qenë edhe largimi i dy futbollistëve të huaj, Mauricio Marinho dhe Trevin Ceasar. Skuadra e Gjilanit, edhe përkundër investimeve të shumta në afatin kalimtar të verës, u eliminua nga gara e Kupës, kurse sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e katërt me 27 pikë të grumbulluara, 13 pikë me pak se skuadra e Prishtinës që është lidere në Superligë.
/Epoka e re/