Eliot Engel njoftohet me sukseset e sektorit privat në Kosovë
Njëri ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, kongresisti amerikan Eliot Engel, ka vizituar kompaninë prodhuese “KIVO” në Kaçanik.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Patricia Ennis, bashkëpunëtorët e ngushtë, atdhetari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Hari Bajraktari, përfaqësues të USAID-it dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kongresisti Engel u njoftua me të arriturat e kompanisë, e cila është njëra ndër storiet më të suksesshme të investimeve në Kosovë.
Bashkëthemeluesi i kompanisë “KIVO”, Visar Ramajli, ka informuar kongresistin Engel lidhur me funksionimin e kompanisë, si dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë.
Ai ka falënderuar kongresistin Engel për kontributin e tij të rëndësishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ramajli, i cili është edhe sekretar gjeneral i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, ka theksuar se tani është momenti që në Uashington të flitet për nevojën e rritjes së investimeve amerikane në Kosovë, duke shtuar se përgjatë viteve ka pasur përmirësim të madh në mjedisin e të bërit biznes në Kosovë.
Në anën tjetër, i impresionuar me të arriturat e kompanisë, kongresisti Eliot Engel ka pohuar se storiet e tilla të suksesit janë pasqyrimi i vërtetë i shpirtit të kosovarëve.
Ai u shpreh krenar me angazhimin e tij për Kosovën, duke shtuar se edhe pas 30 viteve të karrierës së tij politike, sërish do ta vinte Kosovën në krye të prioriteteve të tij.
Kongresisti Eliot Engel ka ardhur për vizitë në Kosovë, ku mes tjerash mori pjesë edhe në përurimin e ndërtesës së re të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
/Epoka e re/