‘Elkos Group-ETC’ dhuron 460 laptopë për mësimin në distancë

04 maj 2020 | 15:43

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Hykmete Bajrami, ka pranuar të hënën një donacionin prej 460 laptopëve nga “Elkos Group-ETC”, me pronar Ramiz Kelmendin, të cilët do t’iu shpërndahen fëmijëve në nevojë nëpër të gjitha komunat e Kosovës për realizimin e mësimit në distancë.

Më këtë rast, Bajrami ka theksuar se ky donacion është shumë domethënës, sidomos në këtë kohë të pandemisë.

Po ashtu, ajo ka thënë se këta laptopë janë të nevojshëm, sidomos tani kur MAShTI ka punuar shumë që të ofrojë mësim në distancë, e megjithatë në mungesë të pajisjeve, sipas saj disa prej familjeve nuk kanë pasur mundësi që ta përcjellin mësimin online.

Më tutje, Bajrami ka bërë me dije se kompjuterët do të tërhiqen nesër nga komunat në depot e “Elkos Grup-ETC”, pasi komisioni i formuar tashmë nga MAShTI në bashkëpunim me “Elkos Grup-ETC” dhe DKA-të të caktojë kriteret dhe do të përgatisë listën se sa kompjuterë do të shkojnë në secilën komunë.

Bajrami ka thënë se me gjithë këtë donacion shumë të rëndësishëm, numri i fëmijëve që nuk mund ta ndjekin mësimin në distancë për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike është më i madh. /Epoka e re/ L.G/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore…