Elmi Reçica: Epopeja e Jezercit është një nga ngjarjet më të lavdishme të UÇK-së
Në 24 vjetorin, Ditën e dëshmorëve të Ferizajt dhe përkujtimit të Epopesë së Jezercit, një nga ish drejtuesit e saj, tash deputeti Elmi Reçica, ka deklaruar se kjo ditë, është “ditë e cila shënon lavdinë e betejës së Epopesë së Jezercit, një nga ngjarjet më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Epopeja e Jezercit, përbën veprën më të lartë dhe të lavdishme të rënies së dëshmorëve në altarin e lirisë, me qëndresën e tyre të palëkundur e heroike për të mbrojtur pozicionet dhe civilët e pambrojtur, artin e luftës, lavdinë, vendosmërinë e UÇK-së dhe vullnetin për liri, pavarësi dhe për të ardhmen e vendit”, ka deklaruar ai.
Postimi i plotë:
Homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj, në nderim të 28 shtatorit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit të komunës së Ferizajt, ditë e cila shënon lavdinë e betejës së Epopesë së Jezercit, një nga ngjarjet më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë rast u mbajtën disa aktivitete për nder të kësaj dite si akademia përkujtimore, organizimi nga Motokubi i veteranëve të UÇK-së të Zonës Operative të Nerodimes, ku vizituam në Jezerc, shtëpinë në të cilën ishte vendosur Komanda e njësitit të UÇK-së nga Kaçaniku, Brigada 162 Agim Bajrami, si dhe aktiviteti letrar “Ora e Artistit” e organizuar nga Klubi letrar “De Rada”.
Epopeja e Jezercit, përbën veprën më të lartë dhe të lavdishme të rënies së dëshmorëve në altarin e lirisë, me qëndresën e tyre të palëkundur e heroike për të mbrojtur pozicionet dhe civilët e pambrojtur, artin e luftës, lavdinë, vendosmërinë e UÇK-së dhe vullnetin për liri, pavarësi dhe për të ardhmen e vendit.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës heroike të Dëshmorëve të Kombit!