Elon Musk: George Soros urren njerëzimin
Elon Musk e ka akuzuar miliarderin kontrovers George Soros se urren njerëzimin. Në dy postime në Twitter, plaformë të cilën e bleu disa muaj më parë, Musk tha se Sorosi i kujton personazhin negativ të serisë së Marvel, “X-Men”, Magneto.
“Sorosi ma kujton Magneton”, shkroi Musk në Twitter këtë të martë. Dhe kur dikush i kujtoi se Sorosi është një filantrop që do njerëzimin dhe njëlloj si Magneto, edhe ai është i mbijetuar i holokaustit, Musk iu përgjigj: “Ti mendon se ka synime të mira por, jo. Ai dëshiron të gërryejë çdo qelizë të qytetërimit”.
Postimi i tij mori mbi 25 milionë shikime dhe 165 mijë pëlqime. Musk nuk shpjegoi pse sulmoi Sorosin, i cili, përveçse mbështetës, ka edhe kritikë të shumtë në të gjithë botën.
Megjithatë, siç raporton “New York Post”, postimi në Twitter u bë pasi u zbulua se zyra e familjes Soros kishte shitur të gjitha aksionet që kishte te Tesla – kompania tjetër e Musk – gjatë tre muajve të parë të këtij viti.
92-vjeçari Soros, i lindur në Hungari, por me origjinë hebreje, vazhdimisht është sulmuar për atë që përfaqëson Shoëria e Hapur, një organizatë joqeveritare me degë në vende të ndryshme të botës, ku promovon politikat liberale. Sipas “Bloomberg”, pasuria e tij vlerësohet në 8,5 miliardë dollarë, ndërsa Fondi Soros mendohet se ka në menaxhim asete me vlerë 28 miliardë dollarë.