Elon Musk paditet për mashtrim, rrezikon postin e shefit ekzekutiv
Elon Musk dhe kompania “Tesla” janë paditur për mashtrim nga mbikëqyrësi amerikan i tregjeve, Securities and Exchange Commission (SEC), pas braktisjes së planeve për ta privatizuar kompaninë e prodhimit të makinave elektrike.
Kjo lëvizje mund të çojë deri në ndalimin e Musk të drejtojë një kompani publike, por mund të kalojë edhe me gjoba të rënda për të dhe kompaninë. Aksionet e prodhuesit të automjeteve elektrike kanë rënë më shumë se 4 për qind, në orët e para pas publikimit të lajmit gjatë së enjtes.
Komisioni SEC dhe Departamenti i Drejtësisë kanë hetuar “Tesla”-n, pasi Musk sugjeroi në muajin gusht se po përgatitej ta privatizonte kompaninë, duke pretenduar se kishte “financime të siguruara”.
“Deklarata e tij ishte false dhe mashtruese. Përgjatë 3 orëve në vazhdim, Musk bëri një seri deklaratash në Tëitter, mbi materiale tërësisht false”, ka deklaruar mbikëqyrësi i tregjeve SEC.
Aksionet asokohe u rritën me 11 për qind, me t’u marrë vesh lajmi, por rezultoi se Musk kishte zhvilluar vetëm bisedime paraprake për privatizimin e kompanisë, ndërkohë që financimet nuk ishin siguruar ende.
Lajmi i gushtit solli aktpadi edhe nga investitorët, disa prej të cilëve kishin vendosur baste për një rënie të ndjeshme të çmimit të aksioneve të “Tesla”-së.
Sipas asaj që thekson SEC, Musk ishte ankuar se “Tesla” ishte shënjestruar padrejtësisht nga investitorë afatshkurtër.
“Ky veprim i pajustifikuar nga SEC më bën të ndihem tejet i trishtuar dhe i zhgënjyer. Gjithmonë kam vepruar në interesin më të mirë të së vërtetës, transparencës dhe investitorëve. Integriteti është vlera më e rëndësishme në jetën time dhe faktet do ta tregojnë se nuk e kam kompromentuar atë në asnjë lloj mënyre”, ka deklaruar Musk pas lajmit të padisë.
Kompania “Tesla” dhe bordi drejtues i saj kanë deklarua për “CNBC” se kishin besim të plotë te Musk, pas dorëzimit të padisë. SEC, mbikëqyrësi më i lartë financiar i Shteteve të Bashkuara, mund të lançojë padi civile kundër një kompanie apo drejtorëve të saj, e madje edhe mund t’i gjobisë ata. Rregullatori mund të përjashtojë ekzekutivët na postet kryesore të një kompanie publike./lexo.al/