Elshani, besnik i Drenicës

22 korrik 2019 | 12:09

Futbollisti Qemail Elshani, i njohur si “Qema”, ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet se ai mund të jetë lojtar i Vushtrrisë apo Besës së Pejës, pasi ka vendosur t’i mbetet besnik skuadrës së Drenicës.

Mesfushori i njohur në futbollin e Kosovës, Qemail Elshani, do të djersijë fanellën kuqezi të Drenicës edhe në edicionin 2019/2020. Mesfushori në fjalë ka thënë për “Epokën e re” se ofertat nuk i kanë munguar, por është i vendosur për ta respektuar kontratën me skuadrën nga Skenderaj.

“Kam pasur disa oferta nga Besa dhe Vushtrria, por nuk kam biseduar për shkak se kam kontratë me Drenicën dhe dua ta respektoj. Kontrata me obligon të qëndroj te KF Drenica deri në qershor të vitit 2020. Kam kaluar mirë me klubin dhe tifozët që kanë një simpati ndaj meje dhe gëzoj respekt të madh në këtë klub, prandaj gjithmonë e kam dhënë maksimumin për Drenicën”, ka thënë Elshani, i cili në këtë mënyrë ka mbyllur të gjitha thashethemet që kanë qarkulluar në opinion dhe do të jetë pjesë e klubit që drejtohet nga Tahir Lushtaku edhe në të ardhmen.

“Ne e kishim vazhduar kontratën më herët me Drenicën, por prezantimi ende nuk ka ndodhur. Nëse ka ndonjë paqartësi nga ana e klubit, sigurisht se do të më njoftonin mua e unë mediet”, ka deklaruar Elshani.

Futbollisti nga Drenasi ka luajtur me shumë sukses për Feronikelin, Prishtinën dhe Besën, kurse një kohë të shkurtër ka qenë pjesë edhe e Partizanit në Shqipëri.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë…