Elshani flet për përballjen me Feronikelin
Pavarësisht prej humbjes në ndeshjen e parë të Drenicës nga Feronikeli me rezultat 4-1, Qemail Elshani është i bindur se skuadra e Drenicës nuk e ka merituar atë humbje sepse paraqitja e saj në Drenas ka qenë shumë e mirë.
Lidhur me ndeshjen e radhës, Elshani ka thënë se synimi i kuqezinjve është që në çdo ndeshje të marrin sa më shumë pikë.
“Në ndeshjen e parë kemi pësuar humbje, mirëpo rezultati i asaj ndeshje nuk ishte real krahasuar me lojën që kemi zhvilluar. Të gjithë e dinë se jemi duartrokitur disa herë për aksionet e bukura që kishim ndërtuar, por që na kishte munguar efikasiteti para portës”, ka thënë Elshani për “Epoka e re”.
“Ndërsa tash jemi të kompletuar dhe të motivuar, pasi vijmë nga një fitore e lartë, si dhe atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë. Kemi një skuadër të fortë përballë, për çka jemi të vetëdijshëm. Presim maksimumin nga të gjithë dhe të mbledhim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura deri në fund, pasi kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve”, ka shtuar Elshani.
/Epoka e re/