Elshani: Ftesë nga përfaqësuesja merituam unë dhe Maliqi

24 janar 2018 | 12:41

Mesfushori Qemail Elshani ka thënë të martën për “Epokën e re” se ai dhe Behar Maliqi e kanë merituar një ftesë nga përzgjedhësi Muharrem Sahiti për ndeshjen miqësore ndaj Azerbajxhanit. Nga skuadra e Feronikelit janë ftuar portieri Faton Maloku, mbrojtësi Ahmet Haliti dhe sulmuesi Mendurim Hoti.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të zhvillojë ndeshje miqësore me Azerbajxhanin në Antalia më 2 shkurt. Në listën e përfaqësueses për këtë ndeshje trajneri i përkohshëm Muharrem Sahiti i ka ftuar tre futbollistë nga skuadra e Feronikelit: Ahmet Halitin, Mendurim Hotin dhe Faton Malokun, por mesfushori i njohur Qemail Elshani është i bindur se e kanë merituar të janë edhe ai dhe Behar Maliqi.

“Duke e pasur bashkëlojtar në disa vite Behar Maliqin, besoj se ai është dashur të ftohet për faktin se i ka dhënë shumë futbollit të Kosovës si me karakterin e tij në fushë, po ashtu edhe me personalitet jashtë fushës. Ndërsa sa i përket vetes, në tre vjetët e fundit kam fituar Kupën e Kosovës dhe kam suksese në vazhdimësi, por jam i pajtimit se, nëse përzgjedhja është korrekte, ‘pa intervenime’, atëherë me mbetet vetëm të punoj dhe të arrij të tjera suksese”, ka thënë Elshani për “Epokën e re”.

Më pas mesfushori i dalluar i skuadrës së Feronikelit ka thënë se, nëse fitohet kjo ndeshje, do të jetë një alternativë e mirë që shtabi teknik mund të ftojë futbollistë edhe për ndeshjet tjera në të ardhmen.

“Kjo miqësore që do të luhet më 2 shkurt duhet të shërbejë vetëm për gjëra pozitive. Nëse humbasim nuk do të thotë se ky është kualiteti i Superligës por, nëse fitojmë, do të jetë një alternativë më shumë për shtabin teknik dhe federatën”, ka deklaruar ai.

Ditë më parë për gazetë ka folur edhe trajneri Muharrem Sahiti, i cili ka thënë se Kosova do të zhvillojë miqësore me Azerbajxhanin në Antalia të Turqisë, e cila është e mirëseardhur për lojtarët e Superligës. “Kosova ka shumë nevojë për ndeshje miqësore. Përballja me Azerbajxhanin është e mirëseardhur për faktin se lojtarët e Superligës do ta kenë rastin ta tregojnë veten. Gjithmonë kur luhet për përfaqësuese duhet të jepet maksimumi si në ndeshjet zyrtare, po ashtu edhe në ato miqësore. Porosia ime para kësaj ndeshje do të jetë që lojtarët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për të bindur se e meritojnë një vend në përfaqësuese edhe në të ardhmen”, ka thënë Sahiti.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori argjentinas Javier Mascherano edhe zyrtarisht i është bashkuar klubit…