Elshani: Po hetohet dëmtimi i kishës
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, në një deklaratë për medie pas protestës së sotme të serbëve në Zubin Potok, për shkak të dëmtimit të objektit të kishës në këtë rajon, ka thënë se kultet fetare, ritet e religjioni janë e drejtë e pacenueshme e njerëzve.
Ai ka thënë se rasti është duke u hetuar dhe nuk e përjashtoi mundësinë që ky objekt të jetë dëmtuar nga ndonjë zyrtar policor, por ka theksuar se Policia e Kosovës, si institucion është në mbrojtje të kulteve fetare.
“Ka mundësi që ato dëmtime të kenë ndodhur nga zyrtarë policorë, nga policët në uniformë. Ne kemi shkuar në vendin e ngjarjes, pa pasur ankesë zyrtare nga qytetarët. Kemi shkuar atje, sepse kemi pasur njoftime nga mediet dhe mandej pasi u bë shikimi në vend të ngjarjes, kemi biseduar edhe me fshatarët, ku disa prej tyre i kemi ftuar në stacionin e policisë dhe i kemi intervistuar. Është punuar një raport final dhe është njoftuar Inspektorati i Policisë së Kosovës. Tash vendoset nga IPK-ja nëse do ta hetojnë ata rastin apo do t’i ndihmojmë edhe ne”, ka deklaruar Elshani.
Më tutje, Elshani ka thënë se edhe nëse një rast i tillë ka ndodhur, ai duhet të dëshmohet përmes fakteve.
“E jona është të dëshmojmë në bazë të provave ashtu siç duhet, ashtu siç e parasheh ligji në fuqi”, ka thënë Elshani.
I pyetur nëse ka qenë e pranishme patrulla policore në mbrëmjen kur ky objekt fetar është dëmtuar, Elshani ka thënë se nuk mund të vërtetohet nëse policia ka qenë prezente në vendin e ngjarjes, por ka shtuar se Policia e Kosovës është çdo kund. /RTK