Elvana Shala, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën që thyen barrierat
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Elvana Shala ka arritur që të thyejë shumë barriera dhe paragjykime për kategoritë e margjinalizuara pa dallim, ndërsa zëri i saj është dëgjuar brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.
Shala, që mban këtë pozitën që nga viti 2014 dhe është ndër pesë ambasadoret e vetme në botë me mandat të dytë, ka përfaqësuar Kosovën në fushën e diplomacisë publike kudo në botë, përfshirë edhe në vendet apo organizatat që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.“Në çdo përfaqësim ndërkombëtar apo takim me liderë të ndryshëm botërorë fokusi kryesor i imi ka qenë promovimi i Kosovës, kontributin e fuqishëm te grave për shtet-ndërtimin e Kosovës në të gjitha sferat, por mbi të gjitha kërkesën time për njohjen e të drejtave të popullit të Kosovës si të barabartë në arenën ndërkombëtare”, thotë ajo në një intervistë për Rrjetin e Grave të Kosovës.
Viti 2022 qe shpallur nga Qeveria e Kosovës si Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara. Marrë parasysh këtë, Ambasadorja Elvana Shala gjatë muajit dhjetor organizoi Kongresin Botëror për persona me Aftësi të Kufizuara duke rikthyer qëllimisht fokusin te kjo kategori edhe jashtë kufijve të Kosovës.
Nën moton “Bashkë për gjithpërfshirje dhe prosperitet”, Kongresi ka mbledhur 31 delegacione nga tërë bota dhe rreth 200 mysafirë nga institucionet e Kosovës, personat me aftësi të kufizuara, shoqëria civile, personalitete nga bota e artit dhe të tjerë.
E tërë kjo është mundësuar falë punës së palodhur të ambasadores Elvana Shala, e cila siç tha edhe vetë “nuk ka lënë gur pa lëvizur që ta sjellë sot botën në Kosovë dhe ta organizojë këtë Kongres, që synon përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.”
“Qëllimi i këtij Kongresi si i pari në Kosovë është pikërisht rezultat i udhëtimeve të mia të shumta nëpër botë dhe një dëshirë e jashtëzakonshme që bota një ditë të vinte në Kosovë për një ngjarje ndërkombëtare të diplomacisë publike. Ideja e këtij kongresi ishte pikërisht bashkimi i organizatave vendore me ato ndërkombëtare dhe shkëmbimi i praktikave të ndryshme ligjore, infrastrukturore dhe sociale me vendet më të zhvilluara në botë me shtetin e Kosovës në mënyre që t’ua përmirësojmë sado pak kushtet e jetesës së kësaj kategorie”, tha Shala.
Ajo thotë se gjendja aktuale e kësaj kategorie në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, meqë për ta është thënë shumë dhe është bërë pak.
“Ka mungesë të jashtëzakonshme të përfshirjes së tyre fillimisht në edukim (shkolla) e pastaj në çdo sferë tjetër të jetës. Dhe kjo si rezultat i kushteve minimale që shteti i ofron aktualisht për ta dhe paragjykimeve të shumta shoqërore me të cilat përballen këta persona.”
Megjithatë, Ambasadorja Shala thotë se është e lumtur që ka arritur të thyejë shumë barriera dhe paragjykime për kategoritë e margjinalizuara pa dallim. Ajo thotë se për të rritur ndërgjegjësimin i duhet përkrahja institucionale, si dhe ajo nga shoqëria civile.
Me gjithë punën e bërë në fushën e diplomacisë, Elvana Shala thotë se Kosova në këtë pikë qëndron në një nivel të mirë, por jo mjaftueshëm të kënaqshëm.
“Kosova ka ende shumë nevojë të njihet në botë në forma të ndryshme dhe kjo duhet të jetë obligim dhe prioritet i përditshëm i secilit prej nesh që i takojmë jetës publike dhe jo vetëm.”
Ajo tha se të kesh vendin e duhur e të merituar në arenë ndërkombëtare duhet unitet politik, diplomatik, e shoqëror që bota të të respektojë për të kaluarën tënde, të tashmen dhe vizionin shtetëror për të ardhmen./Womensnetwork