Elvis Naçi tregon nëse do të merret me politikë
Teologu Elvis Naçi ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, i cili drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën e tij, Naçi ka thënë se,pavarësisht se është në krah të Ramës, nuk do të merret kurrë me politikë, por do të bashkohet sa herë të jetë nevoja për të ndihmuar shqiptarët.
“Më kanë akuzuar se merrem me politikë, por them këtu se jemi për tjetër gjë. S’kam lidhje me politikën, megjithëse jemi në tryezën e qeverisë. Dy gjëra më pëlqyen jashtëzakonisht, e para se këtu jemi të gjithë të barabartë dhe jemi përpjekur të gjithë për atë që ndodhi. Orë pas ore të gjithë pamë se situata nuk ishte aq e lehtë, por ishte alarmante. Duke qenë në një tryezë të përbashkët shpresoj që ata njerëz të ndihmohen më shpejt. Gjë tjetër e bukur është se jo vetëm që do bëhet transparencë, por ne do të kontrollojmë edhe transparencën e njëri-tjetrit në këtë tryezë”.
“Barazia në këtë tryezë, megjithëse në fusha të ndryshme, është hapi i parë që sa më shpejt, në mënyrë urgjente, por dhe profesionale, t’i shkojë ndihma atyre që janë në gjendje alarmante. Në këtë tryezë jo vetëm që do bëjmë transparencën e të gjithë atyre që janë mbledhur, por të të gjitha fondeve dhe që do të shohim ku do të shkojmë, pasi ky është amaneti i atyre që kanë mbetur jetimë. Unë kam thënë që s’do merrem kurrë me politikë, por kur kanë nevojë shqiptarët, ne dimë të bëhemi bashkë. Mjerë për shqiptarët, që në ditë të mira vetëm zihen, shpresoj që të jemi mirë edhe në ditët e bukura me diell”, ka thënë Naçi. / Ballkan Web/