Emanuel Egbo: Tirana ka të njëjtat shanse si Crvena Zvezda  

25 gusht 2020 | 12:37

Si në Superligë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Emanuel Egbo nuk del asnjëherë nga vetja, teksa si gjithmonë është shfaqur shumë i qetë dhe besimplotë në konferencën zyrtare për mediat që i paraprin sfidës kundër Crvena Zvezda.

“Shpresoj të marrim rezultatin e duhur ndaj Crvena Zvezdës. Kur e kam thënë që do të synojmë grupet, nuk i kam menduar çfarë skuadre kemi përballë. Do të tentojmë me të gjitha mundësitë. Do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumin”, ka thënë tekniku bardheblu. Egbo nuk preferon të hapë lojën se kush është favorit. Megjithëse shkon larg, tekniku i bardhebluve e gjen krahasimin në edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve.

“Tirana ka të njëjtat shanse si Crvena Zvezda. Nuk e di i keni parë ndeshjet e Champions-it, ekipe si Lyoni dhe PSG-ja. Po të ishim në kushte normale PSG-ja nuk do të ishte në finale. Ne do të shpresojmë deri në fund, çdo gjë mund të ndodhë”, vijon Egbo. Trajneri i Tiranës i ka idetë e qarta se çfarë i duhet skuadrës së tij për të kaluar një kundërshtar të fortë si kampionët serb.

“I dimë të gjitha. Është ekip i fortë që di të sulmojë. Janë ekip agresiv. Duhet të japim më shumë se ndeshja ndaj Dinamos. Duhet të marrim maksimumin e mundshëm. Kam besim që çunat do japin maksimumin në fushë”, është shprehur Egbo. Në të njëjtën linjë shkon edhe Idriz Batha. Në krah të trajnerit si kapiten i skuadrës, mesfushori është shprehur se mendon vetëm për ndeshjen në fushën e lojës.

“Nuk e shikoj fare si luftë politike, apo diçka raciste. Për ne është thjesht një ndeshje futbolli. I vlerësojmë shumë si ekip. Kanë bërë historinë e vetë dhe dihet se kush janë. Do përpiqemi ta shijojmë ndeshjen në maksimum dhe të japim maksimumin tonë. Shpresojmë për një rezultat pozitiv. Jemi inferiorë nga të gjithë vlerësimet që janë bërë. Në 90 minuta futbolli ka treguar që mund të ndodhë gjithçka”, është shprehur Batha. Me grupin e plotë të lojtarëve, Tirana i dha dorën e fundit përgatitjeve për sfidën kundër Crvena Zvezdës. Egbo nuk ka dashur të zbulojë asgjë nga formacioni, megjithëse priten pak ndryshime nga ai që zbriti në fushë nga minuta e parë dhe siguroi kualifikimin ndaj Dinamo Tbilis.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prezantuesja e njohur, Marina Vjollca është një personazh mjaft i…