ËMBËLGJAKU
SHAIP BEQIRI
ËMBËLGJAKU
Foshnja njëmuajshe Dituri Deliaj mbeti gjallë
në gjirin e gjakosur të nënës së vet të mbytur
në trumbën e njërës prej familjeve të masakruara
nga bandat serbe më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme
ndërkaq vdiq pa u bërë as dy muaj të tragjedisë së madhe
Midis vetëtimave të dehura
Kërkoje fytyrën e qeshur
Të nënës së bërë statujë
Ajo hurbë tambli e gjaku
Kurorë trëndafilësh që nxin
Klithma jote harkuar në erë
Përhapet me tymin ndër re
E sytë t`i gdhendi gravurë
Dalta e mprehur me rrufe
Kur ylberi yt binte përdhe
Ajo hurbë gjaku e tambli
Tufë ninullash që ngrin
Arave ku u korr jeta
Sall xixëllonja jote e lotit
Pas perdesh të kuqe vetëtin
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)