EMCDDA: Grupet shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin e furnizimit të kokainës në Evropë

25 nëntor 2022 | 08:24

Roli i grupeve shqipfolëse në trafikun e kokainës në Europë rezulton të jetë rritur vitet e fundit sipas raportit të fundit të “Qendrës Europiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat” (EMCDDA), që ka analizuar situatën e drogave në Ballkanin Perëndimor.

Grupet shqiptare kanë arritur të bëhen aktorë të pavarur me lidhje direkte në Amerikën Latine, duke forcuar pozitën e tyre në tregjet europiane dhe duke zgjeruar me shpejtësi tregjet.

Në rritje vlerësohet trafikimi i kokainës dhe nga Portet e Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Trafikantët përdorin metoda të sofistikuara komunikimi dhe pagesash. Ndërsa raporti thekson se kultivimi i kanabisit në hapësirat e jashtme në vend ka ardhur në rënie.

Raporti shpjegon se si grupet shqipfolëse kanë arritur që të futen në të gjithë zinxhirin e tregtimit të kokainës, që nga importi deri te shpërndarja.

“Historikisht, në BE, grupet e përfshira në importimin e vëllimeve të mëdha të kokainës prireshin të punonin të ndarë nga tregtarët me shumicë dhe bandat përgjegjëse për shpërndarjen e drogës nëpër tregjet lokale të drogës. Kohët e fundit, janë vërejtur raste të disa rrjeteve kriminale shqipfolëse që duket se janë larguar nga ky model dhe kanë marrë kontrollin e importit dhe shpërndarjes së drogës.

Për shembull, një rrjet dihet se ka përdorur teknologji të sofistikuara komunikimi të koduara për të mbajtur kontakte me drejtuesin e organizatës, me qendër në Ekuador, i cili negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut dhe organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore në Europë.

Bashkëpunëtorët me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri e lehtësuan këtë proces dhe ishin gjithashtu përgjegjës për shpërndarjen tek konsumatorët. Kokaina u kontrabandua përtej kufijve europianë e fshehur në automjete të pajisura me ndarje të fshehta dhe kriminelët pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem alternativ në terren të dërgesave me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien, i ngjashëm me sistemin e transferimit të haËala”, thuhet në raport.

Si rrjedhojë, rrjetet kriminale shqipfolëse duket se janë bërë aktorë të pavarur me lidhje të drejtpërdrejta në Amerikën Latine, ndërsa më parë ato dukeshin se punonin kryesisht përmes rrjeteve kriminale italiane. Kjo nuk do të thotë, sipas raportit se lidhjet me grupet italiane nuk vazhdojnë të ekzistojnë, por që të dyja palët tani duket se punojnë së bashku në pjesë të ndryshme të botës në mënyra që janë të dobishme për të dyja palët.

“Në përgjithësi, tani ka një sasi të konsiderueshme informacioni që sugjeron se rrjetet shqipfolëse kanë zgjeruar aktivitetet e tyre të lidhura me kokainën në më shumë vende të BE-së që nga viti 2017 dhe se ato po luajnë gjithashtu një rol më të spikatur në tregun e kokainës në shumë vende, me aktivitetet që përfshijnë përfshirjen në shpërndarjen në nivel rrugësh”.

Rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor duket se janë kthyer në aktorët kryesorë në tregun rajonal të drogërave dhe atë të BE-së. Kjo i atribuohet pjesërisht pozicionit gjeografik të Ballkanit, i cili pozicionohet në kryqëzim të rrugëve kryesore të trafikut të drogës por edhe rrugëve potenciale për zhvillimin e drogërave të tjera, duke përfshirë këtu edhe kokainën. Këto rrjete kriminale ndikojnë në sigurinë, qeverisjen dhe sundimin e ligjit në rajon.

Kanabisi, kokaina, heroina, drogat sintetike kontrabandohen brenda dhe jashtë rajonit.
Sipas hartës së publikuar në raport Vlora dhe Durrësi shërbejnë si pika dalëse të kanabisit drejt Italisë. Ndërsa kokaina hyn në Shqipëri dhe më pas shkon drejt Maqedonisë së Veriut.

Porti i Durrësit shërben si pikë dalëse edhe për heroinën. (shiko hartën: Rrugët kryesore të trafikimit të drogave në Ballkanin perëndimor). Sipas raportit ka disa tregues se kanabizimi i prodhuar në Ballkanin Perëndimor trafikohet në Turqi, ku shkëmbehet për heroinë.

Po rritet pesha e porteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi në trafikimin e kokainës

Konfiskimet e fundit të kokainës tregojnë se trafiku përmes porteve detare në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, mund të jetë rritur, edhe pse sasitë në fjalë janë ende shumë të vogla krahasuar me sasitë e kapura në portet kryesore hyrëse të BE-së, thekson raporti.

“Ndërsa rrjetet kriminale nga Ballkani Perëndimor duket se janë të përfshirë kryesisht në importimin e kokainës përmes porteve kryesore të BE-së, është raportuar një rritje e trafikut të kokainës përmes porteve në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe në disa vende të tjera të BE-së, si Rumania.

Kjo sugjeron që këto rrjete kanë diversifikuar taktikat e tyre për lëvizjen e drogës në tregun e BE-së, gjë që mund të përfaqësojë një kërcënim të rëndësishëm në të ardhmen, veçanërisht në kontekstin e investimeve më të mëdha që po bëhen në masat ndaluese në portet kryesore të njohura hyrëse për trafikun e drogës në BE-së”.

Droga hyn në Ballkanin Perëndimor nga rrugë të ndryshme. Kokaina dhe heroina hyjnë nëpërmjet porteve të Adriatikut, të cilat kanë rritur rëndësinë për rrjetet kriminale, veçanërisht për ato pa dalje në det.

Ky fenomen ka ndikuar edhe në sigurinë e qyteteve të vendosura pranë këtyre porteve (p.sh. porti i Durrësit në Shqipëri dhe porti i Tivarit në Mal të Zi), pasi një sërë aktivitetesh kriminale zënë rrënjë në këto vende ku mbështetet importimi i dërgesat të drogës nëpërmjet praktikave korruptive apo marrëveshjeve që lidhen me ruajtjen, transportin dhe pastrimin e parave.

Lojtarët kryesorë të tregut të kokainës

Informacione nga burime të zbatimit të ligjit sugjerojnë se rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë bërë lojtarët kryesorë të tregut të kokainës në BE. Shpesh, kjo përfshirje është në të gjithë zinxhirin e furnizimit që nga marrja e drogës në Amerikën Latine, importimin e saj në portet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe deri tek shpërndarja në vendet evropiane.

Rrjetet kriminale kanë lidhje të forta në Ballkanin Perëndimor. Ata janë lojtarët kryesorë në tregun e kokainës në BE dhe lëvizjet e drogës nga Amerika Latine në portet Europiane. Këta të fundit janë të pranishëm në vendet kyçe të eksportit apo importit të kokainës si në Amerikën Latine ashtu edhe në BE.

Rritja e prodhimit të kokainës në Amerikën e Jugut ka krijuar mundësi të reja për rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor për të kontrabanduar sasi të mëdha kokaine direkt në Ballkan dhe Europë. Shkëputja e ndërmjetësve ka krijuar mundësitë që këto rrjete të grumbullojnë fitime të larta.

Gjithashtu ka të dhëna se rrjetet kriminale shqiptare janë përfshirë së fundmi në trafikun e gjerë të drogës, duke përfshirë raportet se kanë lidhje të ngushta bashkëpunimi me italianin ‘Ndrangheta’.

Sofisitikimi i grupeve kriminale në komunikim dhe përdorimin e kriptomonedhave

Sipas raportit, globalizimi dhe infrastruktura e transportit gjithnjë e më shumë po shfrytëzohen nga rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor. Kjo është më e dukshme për kokainën, për rrjetet e përfshira në të gjithë zinxhirin e furnizimit nga prodhimi në Amerikën e Jugut deri tek importimi në BE.

Kërkesa e madhe për drogë dhe fitimet e larta kanë inkurajuar rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në shumë pika të zinxhirit të furnizimit të drogërave të paligjshme.

Rrjetet kriminale përdorin komunikime të koduara, tregjet online dhe kriptovalutat për të shmangur zbatimin e ligjit. Kjo tregon se teknologjia dhe risitë dixhitale po sjellin përfitime për rrjetet kriminale të përfshira në prodhimin, trafikimin dhe pastrimin e parave të drogës.

Në përgjithësi, rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se përdorin dhunën në një mënyrë strategjike dhe të kontrolluar, kryesisht për të ruajtur besueshmërinë e tyre përmes kërcënimit, i cili raportohet të jetë një tipar kyç i modelit të tyre të biznesit në tregtinë e kokainës.

Korrupsioni në rajon vepron gjithashtu si lehtësues për rrënjosjen dhe zgjerimin e rrjeteve kriminale të Ballkanit Perëndimor.

Me pak kanabis

Raporti thekson se modeli i kultivimit të kanabisit po ndryshon. Po kultivohet dukshëm më pak kanabis në sipërfaqet e jashtme të Shqipërisë, ndërsa është rritur kultivimi në ambientet ebrendshme në më shumë shtete në rajon.

Disa rrjete kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë adoptuar një model të ri biznesi në prodhimin e kanabisit brenda BE-së.

Prania e tyre është vënë re në një numër vendesh të BE-së. Modelet e kultivimit të kanabisit në rajon po diversifikohen gjithnjë e më tepër. Në Shqipëri po kultivohet më pak kanabis në hapësirat e jashtme se në të kaluarën, ndërkohë që në vende të tjera të rajonit, janë regjistruar në shkallë të gjerë zona të kultivimit të kanabisit.

“Në përgjithësi, Shqipëria aktualisht nuk duket të jetë një burim i rëndësishëm i kanabisit bimor për tregun e BE-së sa ishte para vitit 2018”, thekson raporti./Monitor

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania ka parë një rritje të ndjeshme të varfërisë gjatë…