Emergjenca e QKUK-së pranoi 160 raste për 24 orë
Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) përmes një komunikate për medie ka njoftuar se është i vetëdijshëm lidhur me vështirësitë dhe ngarkesën e madhe me pacientë nëpër të cilat po kalon Klinika Emergjente në QKUK.
SHSKUK-ja ka bërë me dije se si rezultat i kësaj situate, janë ndërmarrë hapa për renovim, krijim të prioriteteve për pacientët, blerja e pajisjeve të reja, furnizimin me barna dhe ofrimin e shërbime më kualitative.
“Aktualisht, Klinika Emergjente e QKUK-së ka qenë dhe mbetet e mbingarkuar 24 orë me pacientë, përfshirë raste të aksidenteve në trafik, reanimime, raste të rënda kirurgjike, ortopedike dhe internistike. Përkundër mbingarkesës së madhe, ekipet shëndetësore të Klinikës Emergjente, në konsultim edhe me specialistët kujdestar nga degët kirurgjike, internistike dhe ortopedike, kanë ofruar ndihmën mjekësore për të gjithë pacientët”, është thënë në komunikatën e SHSKUK-së.
Sipas kësaj komunikate, një pjesë e Klinikës Emergjente është në rinovim, investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së, përderisa për herë të parë nga paslufta janë blerë 300 mijë euro pajisje të reja që pritet të futen në punë pas rinovimit, me kërkesë të menaxhmentit të klinikës.
“Duhet theksuar se shqetësim për Klinikën Emergjente, paraqet fakti se një numër i madh i pacientëve paraqiten për ndihmë mjekësore direkt në emergjencë, pa konsultuar paraprakisht Qendrat e Mjekësisë Familjare”, është theksuar në komunikatën e SHSKUK-së.
/Epoka e re/