Emërimi i ambasadorit amerikan në Beograd, Krasniqi: Serbia po forcohet si partner strategjik, lajm i keq për Kosovën

31 mars 2025 | 19:32

Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka folur rreth ambasadorit të ri amerikan në Beograd, Mark Brnovich dhe vëmendjen e presidentit Trump ndaj Serbisë.

Krasniqi në FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se emërimi i ambasadorit me prejardhje serbe është vetëm maja e Icebergut të një orientimi strategjik që tashmë administrata Trump ka projektuar në raport me Serbinë.

“Vizita e djalit të tij, Donald Trump të riut para disa kohësh në Beograd ishte indikator i këtij afrimi të madh realisht të administratës Trump me Vuçiqin. Po ashtu edhe shumë zhvillime të tjera, sepse në projeksionin e madh të Trump për konfliktin ose rivalitetin me Evropën [Bashkimin Evropian], Serbia, Hungaria, Sllovakia janë entitete që po hyjnë në skemën e Trump-it për të bërë presion mbi Bashkimin Evropian, pra ky afrim është shumë më i madh se sa që duket, bile edhe me probleme serioze në kuptimin që Donald Trump i riu në Beograd në njëfarë mënyre tentoi ta de-legjitimonte edhe intervenimin e NATO-s duke thënë se ishte një intervenim për hesape private të Bil Clinton-it”, ka thënë ai.

“Është një përpjekje e afrimit shumë të madh me Serbinë…dhe ky ambasador po themë kushtimisht maja e Icebergut e krejt kësaj politike të re strategjike që ka Uashingtoni zyrtar me Serbinë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se me këto veprime të Uashingtronit, pozita e Serbisë do të forcohet, pasi që edhe vizita e Donald Trump të riut ishte mesazh edhe kundër protestuesve në Beograd.

“Definitivisht mas asaj vizite protestat dështuan sepse kanë qenë shumë më ambicioze dhe po ashtu ajo loja që bëhet me Republika Srpska, përkatësisht me Dodikun është pjesë e këtij mozaiku, pra është një lloj presioni me destabilizimin e Bosnjës për ti bërë presion Bashkimit Evropian dhe për të demostruar pafuqinë e BE-së në raport me krizat në terrenin e vet”.

Ai tutje ka thënë se forcimi i Serbisë në këtë lloj partneriteti me SHBA-në ka gjasa që të rritet jashtëzakonisht shumë.

“Aq ma shumë që Vuçiqi e ka përkrahjen edhe të Putinit edhe të Tik Xhi Pinngut edhe të Trump-it dhe një rol të ri sigurisht edhe në versionin të themi të Jaltës 50-50 të ndikimit rus edhe amerikan”, është shprehur profesori universitar.

Sipas Krasniqit kjo paraqet lajm të keq edhe për Kosovën edhe Bosnjën edhe për Malin e Zi port “këto janë realitete në të cilat na jetojmë”.

“Serbia po shfaqet si një faktor dhe partner kredibil”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut ranë dakord të dielën…