Emërimi i anëtarëve të KQZ-së pas kompletimit të dokumentacionit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të bëhet funksional së shpejti meqë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në ditët në vazhdim do t’i emërojë anëtarët e rinj të KQZ-së.
Zyra për Informim e Presidentit nëpërmjet një përgjigje me shkrim për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se emërimi i anëtarëve të KQZ-së do të bëhet pas kompletimit të dokumentacionit të tyre meqë ka pasur dokumentacione të pakompletuara te disa prej të nominuarve.
“Pas pranimit të nominimeve nga grupet parlamentare për anëtarë të KQZ-së dhe verifikimit të dokumentacionit të tyre, Departamenti Ligjor ka vërejtur dokumentacione të pakompletuara te disa prej tyre dhe ka kërkuar dokumentacione shtesë. Sapo të kompletohen, presidenti do t’i dekretojë anëtarët e rinj të KQZ-së”, është thënë në përgjigjen me shkrim nga Zyra për Informim e Presidentit.
Por kandidati për anëtar të KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, ka thënë të mërkurën për gazetën “Epoka e re” se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke vepruar në kundërshtim me rolin dhe përgjegjësitë e veta kushtetuese.
Sipas Dushit, arsyetimi për “moskompletimin e dosjeve të të nominuarve” nuk i justifikon vonesat në këtë proces.
“Mosemërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për më tepër se një vit nga ana e presidentit, madje nganjëherë duke u fshehur pas disa aspekteve teknike, siç është rasti me, kinse, ‘moskompletimin e dosjeve të të nominuarve’, nuk e justifikon në asnjë mënyrë presidentin i cili në këtë rast është duke vepruar në kundërshtim flagrant me rolin dhe përgjegjësitë e tij kushtetuese”, ka deklaruar Dushi, duke shtuar se atij dhe bashkëpartiakut të tij, Sami Hamiti, nuk u është kërkuar asnjë dokument shtesë nga presidenca.
Sidoqoftë, ai ka kërkuar nga presidenti Thaçi që sa më parë ta përmbushë obligimin e vet kushtetues, duke i emëruar anëtarët e KQZ-së konform formulës së dhënë kushtetuese në mënyrë që të funksionalizohet një ndër institucionet më vitale të Republikës së Kosovës.
“Është me rëndësi të theksohet se diçka e këtillë në shtetin tonë është duke ndodhur për herë të parë nga një president i cili, me gjasë, nuk po mund të shkëputet dot nga prejardhja partiake-politike. Prandaj, kërkesa ime lidhur me këtë çështje është që presidenti sa më parë ta përmbushë obligimin e vet kushtetues, pra sa më parë t’i emërojë anëtarët e KQZ-së konform formulës së dhënë kushtetuese e cila tashmë është praktikuar disa herë dhe në këtë mënyrë ta funksionalizojë njërin ndër institucionet më vitale të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Dushi.
Ndërsa i nominuari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se shumë shpejt presidenti do ta dekretojë përbërjen e re të KQZ-së.
Ai ka theksuar se KQZ-ja pa arsye nuk ka thirrur mbledhje për t’i kryer detyrat e saj të përcaktuara me ligj sepse, sipas Gashit, në një farë forme ka pasur bojkot nga një pjesë e opozitës rreth dilemave të përbërjes se KQZ-së. Sipas Gashit, KQZ-ja me gjendjen e njëjtë kushtetuese ka mbajtur zgjedhje lokale dhe parlamentare në vitin 2013/14.
“Shpresoj se presidenti do t’i thërrasë të nominuarit së shpejti për t’i dekretuar të rinjtë dhe ata që vazhdojnë mandatin. KQZ-ja pa arsye nuk ka thirrur mbledhje për t’i kryer detyrat e veta të përcaktuara me ligj sepse në një farë forme ka pasur bojkot nga një pjesë e opozitës rreth dilemave të përbërjes së saj. KQZ-ja me gjendjen e njëjtë kushtetuese ka mbajtur zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në vitin 2013/14. Kështu që, edhe sot mendoj se mund t’i kryejmë detyrat tona sepse nuk asnjë dekret nga presidenti për përfundim të mandatit meqë presidenca e ka pasur të qartë se ne kemi mandat deri në përbërjen e re për të mos lënë vakum institucional”, ka deklaruar Gashi.
Shqipe HETEMI