Emërohet drejtori i Fondit për sigurime shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka emëruar Fatmir Plakiqin në postin e drejtorit të Fondit për sigurime shëndetësore.
Lajmin për emërimin e tij e ka bërë të ditur Ismaili me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“I urova mirëseardhje drejtorit (u.d.) të ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.Zotëri Plakiqi vjen në këtë pozitë pas një përvoje shumë të madhe dhe të pasur institucionale. Ai ka zhvilluar dhe ka transformuar disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, nga pika fillestare në institucione të fuqishme, kredibile dhe shumë të suksesshme”.
“Për pesë vite ka qenë drejtor i Thesarit dhe anëtar i Bordit të Bankës Qendrore. Para saj ai ka shërbyer edhe si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Policinë e Kosovës dhe drejtor i administratës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës”.
“Sigurimet Shëndetësore tashmë i kemi shndërruar në prioritet kombëtar, në mënyrë që të zbusim varfërinë e qytetarëve tanë, për realizimin e të cilave po angazhojmë kuadrot më profesionale që ky proces të përfundojë në afatin e duhur”, ka shkruar ministri Ismaili.