Emery pas fitores me Cityn: Nuk jemi në garë për titullin
Aston Villa ia doli mbanë në ndeshjen shtëpiake ndaj Manchester City duke triumfuar përballë Kampionëve në fuqi të Premier League me rezultatin 1-0.
Një fitore që e ngjit “The Villans” në vendin e tretë, vetëm katër pikë larg kryesuesve të Arsenal.
Megjithatë, trajneri Unai Emery kërkon të shmangë euforinë dhe pavarësisht se i gëzohet fitores ndaj Cityt, “fton” lojtarët e tij të qëndrojnë me “këmbë në tokë”.
“Ishte një fitore vërtet e bukur, tani duhet të besojmë më shumë tek vetja. Jemi për momentin në katër skuadrat më të mira, por nëse krahasohemi me skuadrat e tjera atëherë them se nuk jemi në garë për titullin.
Patjetër që duhet të jemi të lumtur për këtë moment, por duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Të shtunën luajmë ndaj Arsenal dhe vetëm pas asaj ndeshje ndoshta mund të relaksohemi dy ditë dhe të shijojmë momentin, raporton Supersport. Por, tani në këtë pikë duhet të qëndrojmë të fokusuar”, u shpreh Emery. Aston Villa është në një ecuri fantastike në shtëpi teksa në “Villa Park” ndaj Manchester City regjistroi fitoren e 14 radhazi.