Emigrantët e parë që do të vijnë në Shqipëri ng Italia janë nga Bangladeshi dhe Egjipti
Emigrantët ndodhen në bordin e anijes Libra, e cila duhet të mbërrijë mëngjesin e së mërkurës në portin e Shëngjinit.
Emigrantët e parë që do të vijnë në qendrat italiane në Shqipëri janë nga Bangladeshi dhe Egjipti.
Të paktën kështu kanë konfirmuar burimet qeveritare për agjencinë shtetërore të lajmeve në Itali.
Emigrantët ndodhen në bordin e anijes Libra, e cila duhet të mbërrijë mëngjesin e së mërkurës në portin e Shëngjinit.
Ata ishin në bordin e disa varkave të vogla që u kapën mbrëmjen e së dielës në ujërat ndërkombëtare nga patrulla të autoriteteve italiane, të cilat më pas i transferuan në Libra.
Në krye të nismës është Ministria e Brendshme. Javën e kaluar u vunë në funksion qendrat në Shëngjin dhe Gjadër dhe do të akomodojnë emigrantët e transferuar.
Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni me homologun e saj shqiptar Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Një procedurë, krahasuar me ato të parashikuara deri më sot, u përshpejtua ndjeshëm. Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike ashtu edhe juridike. Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjadër ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali.
Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë në pikëpyetje edhe listën e 22 vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”: për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë në shënjestër të diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Një kërkesë që pak nga 22 vendet e përmbushin. Dyshimi i fundit: deri më sot, shqyrtimi i kërkesave për azil ka zgjatur më shumë se katër javë; Me skadimin e këtij afati, emigrantët rrezikojnë të kthehen në Itali, pasi nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.
Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.