
Emigranti ilegal vjedh çantën firmato me karta bankare dhe dokumente të Sekretares së Sigurisë Kombëtare në SHBA
Një emigrant ilegal akuzohet se ka vjedhur çantën “Gucci” të Kristi Noem, dhe se përdori kartën e saj American Express për të shpenzuar 205 dollarë për ushqim dhe alkool përpara se ta zinte gjumi në një tavolinë restoranti.
49-vjeçari Mario Bustamante Leiva, dyshohet se shënjestroi tre persona të ndryshëm midis 12 dhe 20 prillit, gjatë kohës që ai akuzohet për vjedhjen e çantës firmato të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, e cila thuhet se kushtoi rreth 4,400 dollarë.
Dokumentet e akuzës të paraqitura në gjykatën federale të hënën thonë se Noem, e cila përmendet vetëm si “një individ nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara”, kishte qenë duke darkuar në restorantin Capital Burger kur ndodhi incidenti.
Çanta e Noem përmbante 3,000 dollarë “cash”, një portofol Louis Vuitton, kartën e saj të aksesit të DHS, çelësat e apartamentit, pasaportën, çekët bosh dhe sende të tjera personale.
Pasi mori çantën, Bustamante Leiva mori autobusin për në një restorant italian aty pranë, ku bëri pesë blerje duke përdorur disa nga kartat American Express të Noem, sipas dokumenteve.
Pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara dhe analizuara Shërbimi Sekret zbuluan se ai kishte qëndruar në restorant deri rreth mesnatës, pastaj ishte larguar dhe kishte rënë në gjumë në një tavolinë jashtë, ku qëndroi deri afërsisht në orën 7:30 të mëngjesit të nesërmen.
Policia dhe agjentët federalë arrestuan Bustamante Leivën të shtunën dhe ai u akuzua për vjedhje identiteti të rënduar, grabitje dhe mashtrim.

Deklarata e agjentit nuk e përmend Noem, por informacioni në të dhënat e gjykatës përputhet me detajet e vjedhjes së saj. Autoritetet thanë se nuk kishte prova që Noem ishte shënjestruar për shkak të statusit të saj të profilit të lartë.
“Nuk ka asnjë tregues se ishte për shkak të kësaj. Sinqerisht, ishte një çantë e bukur,” tha për NBC News Ed Martin, prokurori i përkohshëm i SHBA-së për Distriktin e Kolumbias.
Hetuesit thanë se e identifikuan Bustamante Leivën si të dyshuar për vjedhjet pasi ai përdori një kartë dhurate të vjedhur për të bërë një blerje në një motel. Kur iu tregua një foto e Noem, ai u tha hetuesve se nuk e dinte kush ishte ajo, sipas deklaratës.
Hetuesit thanë se gjetën çantën dhe portofolin e Noem nga dhoma e tij e motelit.
Në një deklaratë të përgatitur, Noem iu referua të dyshuarit si “një kriminel karriere që ka qenë ilegalisht në vendin tonë për vite me radhë”.
Pas grabitjes në restorantin në Uashington, D.C., të dielën e Pashkëve, kanë lindur pyetje se si ishte e mundur kjo, duke pasur parasysh se ajo ka një ekip sigurie. Dy anëtarë të saj të veshur civilë ishin në barin e restorantit midis tavolinës së familjes dhe derës së përparme.
Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, i tha NBC News: “Për sigurinë e agjentëve dhe oficerëve tanë, ne nuk jemi në gjendje të konfirmojmë ose komentojmë në këtë kohë. Nëse ngrihen akuza penale, Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të ofrojë informacion publik në përputhje me procedurat e përcaktuara.”