Emilija Rexhepi: Kemi siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Jemi në pritje të takimit të kryesisë (së kuvendit). Koha e seancës ende nuk dihet. Pritet të jetë pasdite”, ka thënë Rexhepi.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri.
Që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, kryesia e kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së kësaj seance.
Jozyrtarisht, REL-i po ashtu merr vesh se Lëvizja Vetëvendosje është duke e shtyrë përpara nxjerrjen para kuvendit të një ligji, i cili do të rregullonte çështjen e votimit të diasporës nëpër ambasadat që Kosova ka në botë. Ky legjislacion, LV-ja dëshiron që ta prezantojë para se të procedohet me votimin për presidentin.
Qeveria e Kosovës pritet të takohet gjatë së premtes në ora 16:00, por në njoftim nuk bëhen të ditura detajet e këtij takimi.
LV-ja e Kurtit për postin e presidentit ka propozuar Vjosa Osmanin.