Emilija Rexhepi në Bosnje për marrëveshjen e lëvizjes së lirë në kuadër të Procesit të Berlinit
Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Rexhepi, ka zhvilluar vizitë zyrtare dyditore në Bosnjë dhe Hercegovinë, me ftesë të Grupit Parlamentar të Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe me kërkesë të deputetit Shemsedin Mehmetoviç.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi, gjatë takimeve që ka pasur me zyrtarët boshnjak ka biseduar për ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë më kuadër të Procesit të Berlinit.
Siç njofton zyra e kryeministrit, gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministrja përveç takimit me Shemsedin Mehmetoviç – deputet në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës – është pritur në takim edhe nga Dino Konakoviç, Ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, Ministër i Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Benjamina Kariç, kryetare e komunës së Sarajevës.
“Tema kryesore e takimeve gjatë kësaj vizite të Zëvendëskryeministres Rexhepi ishte ratifikimi i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe njohja e dokumenteve të identifikimit, si pjesë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Përveç kësaj, bëhet me dije se është biseduar edhe “për mundësitë e forcimit të lidhjeve kulturore dhe arsimore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës”.
Kjo vizitë e zëvendëskryeministres Rexhepi në BeH vjen pak ditë pasi që deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë më 27 qershor, kishin votuar për të ndaluar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Lëvizja pa viza e qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës ishte bërë e mundur falë tri marrëveshjeve të mobilitetit të arritura mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër Procesit të Berlinit, porse me vendimin e fundit të Republikës Serbe është ndaluar heqja e regjimit të vizave.
Anëtarja serbe e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhekja Cvijanoviç, inicioi një mekanizëm për të mbrojtur “interesat vitale” të Republikës Serbe, sepse sipas saj, heqja e regjimit të vizave do të ishte e dëmshme për interesat e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë.
Qeveria e Kosovës, më 8 shkurt, pati miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Më 3 nëntor 2022, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu kanë ratifikuar tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit, që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, por të njëjtat nuk janë ratifikuar nga Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Megjithatë, kjo nuk i pengon shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese. Këtë po e dëshmon Kosova.
Jo funksionaliteti i parlamentit malazez për shkak të ngërçit politik atje dhe destruktiviteti i presidentit nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, janë bërë pengesë për ratifikimin dhe implementimin e marrëveshjeve nga shtetet respektive.
Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.