Emiratet e Bashkuara Arabe bllokojnë “Skype”
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit të internetit “Skype”.
“Kemi konstatuar se ofruesit e shërbimeve të internetit në Emiratet e Bashkuara Arabe bllokuan qasjen në faqen tonë. Kjo do të thotë se ‘Skype’ nuk mund të përdoret në atë vend”, ka njoftuar “Skype” që është në pronësi të Microsoft.
Drejtuesit e kompanisë gjithashtu njoftuan se janë duke punuar për heqjen e bllokimit, kurse qytetarët e Emirateve të Bashkuara Arabe në diasporë në rrjetet sociale reaguan ashpër për bllokimin e aplikacioneve të internetit të cilat i përdornin për komunikim pa pagesë.
“Është frustruese. Si të organizojmë tani intervista dhe takime? Kjo është krejtësisht e kundërta e vizioneve afatshkurtra dhe afatmesme që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë promovuar”, ka theksuar Sultan Al Qassemi nga Këshilli për Studime të Lindjes së Mesme.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe tashmë disa vite nuk kanë lejuar përdorimin e aplikacionit për komunikim ‘FaceTime’ të kompanisë “Apple”.