Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se marrëveshja me Izraelin nuk e ka cak Iranin
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë thënë se marrëveshja për normalizimin e raporteve me Izraelin është një “vendim sovran”, i cili “nuk e ka cak” Iranin.
“Ne nuk pranojmë ndërhyrje në vendimet tona”, ka thënë ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, më 17 gusht.
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar më 13 gusht se po vendosnin marrëdhënie të plota diplomatike në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, e cila përfshinte një zotim nga ana e Izraelit, për të pezulluar planet e tij të diskutueshme për aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor të okupuar.
Marrëveshja mundëson që Emiratat e Bashkuara Arabe të bëhen shteti i parë arab i Gjirit që krijon lidhje të plota diplomatike dhe kombi i tretë arab që ka marrëdhënie aktive diplomatike me Izraelin, raporton “Rel”.
Marrëveshja në fjalë është përshëndetur nga disa shtete të Gjirit, por është kundërshtuar nga Irani, Turqia dhe palestinezët.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, në një fjalim më 15 gusht ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe se përmes kësaj marrëveshjeje kanë tradhtuar kauzën palestineze.
Më 16 gusht, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara kanë inauguruar shërbimet telefonike direkte midis dy vendeve.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë më 17 gusht se vendi i tij po përgatitet për fluturime të drejtpërdrejta me Emiratet e Bashkuara Arabe.