Emiratet, të gatshme të ndërmjetësojnë për arritjen e paqes në mes të izraelitëve dhe palestinezëve
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se janë të gatshme të ndërmjetësojnë arritjen e paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.
Princi i Kurorës së Abu Dabit, sheiku Mohammed bin Zayed al-Nahyan, ka thënë se këto komente i ka bërë gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Siri, shteti i të cilit, me ndihmën e ShBA-së, ka ndërmjetësuar marrëveshjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
Armëpushimi ka hyrë në fuqi të premten dhe nuk ka raportime që grupi militant, Hamasi apo ushtria Izraelite ka kryer ndonjë shkelje të tij, shkruan “Rel”.
Emiratet e Bashkuara Arabe, që vitin e kaluar normalizuan raportet me Izraelin, “janë të gatshme që të punojnë me të gjitha palët që të respektohet armëpushimi dhe të shikohen edhe mënyra të reja për të zvogëluar përshkallëzimin dhe për të arritur paqen”, citohet të ketë thënë Princi i Kurorës.
Princi i Kurorës gjatë kësaj bisedime me presidentin egjiptian, po ashtu ka theksuar se për t’u arritur një gjë e tillë “duhen përpjekje shtesë, veçmas nga liderët izraelitë dhe palestinezë”.
Marrëveshjet për normalizim me Izraelin, që vitin e kaluar kanë nënshkruar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni, e që kanë pasuar nga Sudani dhe Maroku, janë dënuar nga palestinezët, duke thënë se me këto veprime, këto shtete patën braktisur pozicionin e unifikuar, sipas të cilit, shtetet arabe kërkojnë që paqja të arrihet vetëm përmes zgjidhjes me dy shtete.