Emisarët e dialogut mbrojnë kriminelët serbë!

02 gusht 2023 | 18:56

Hasan Mujaj

Kriminelët komplotistë serbë, që zbatojnë politikën e Vuçiqit në Veriun e Kosovës, barbarisht sulmuan forcat e paqes, të rendit dhe gazetarët; ata plagosën nëntëdhjetë ushtarë të KFOR-it sipas shefit të NATO-s, Stoltenberg. Dhuna e tyre ishte aq mizore, sa një ushtar e lanë pa njërën këmbë. Krim!
Një veprimtari, madje e gjatë, e cila nuk shënon arritje pozitive në misionin e besuar, quhet dështim. Dhe, ajo dështon nga fakti se veprimtarët e saj nuk e kapin vrojtimin e temës (në këtë rast dialogun) nga rrënja, por nga pipthi; nuk merren me shkakun, por me pasojën. Kështu po ecën edhe dialogu Kosovë – Serbi. Kështu, dialogu i dështuar, do të vazhdojë të jetë i këtillë përderisa emisarët e autorizuar nuk janë të përkorë sa u përket shkaqeve të zhvillimeve politike në katër komunat veriore të Kosovës si dhe sa i takon kualifikimit real të situatës politike në terren.
Emisarët M. Lajçak e J. Borrell, me raportet e propagandën shterpë, sa fiktive, aq edhe frapante, mbrojnë aktet terroriste të kriminelëve serbë në komunat e përmendura dhe sulmojnë e fajësojnë organet e rendit e të paqes. Ata, arrestimin e kriminelëve të organizatave terroriste e quajnë “terror mbi serbët”; ata nuk i përmbahen etikës së komunikimit konstruktiv, sepse kanë si qëllim parësor ta favorizojnë Serbinë, prandaj pragmatika e tyre politike është barazi me zero efekt; ata asnjëherë nuk i morën parasysh ankesat publike të qytetarëve të atjeshëm serbë sipas të cilave kanë presion të madh nga prijësit e Listës Serbe për të mos i përfillur institucionet e Kosovës, por ta ndjekin politikën e Beogradit. Del e qartë pra se ata e fshehin të vërtetën.
Kjo njëanshmëri e tyre politike sa vjen e kritikohet përditë nga emra prominentë e me zulmë të lartë politike ndërkombëtare: europiane dhe amerikane.
Burimi i veprimtarisë kriminale në këtë pjesë të Kosovës rrjedh nga Beogradi zyrtar. Sepse, politika e Vuçiqit ndaj territorit të Kosovës është aneksuese me aspirimin për të ashtuquajturën Serbinë e Madhe, ashtu sikundër edhe pararendësit e tij gjatë historisë. Për këtë aspiratë pushtuese ai ka gjetur mbështetje edhe tek intermediatorët e përmendur europianë. Kryetari i Serbisë zhvillon politikë interpretimesh impulsive, folklorike dhe utopike, ireale dhe imagjinare, distopike e totalitare etj.
Kriminelët komplotistë serbë, në krye me Radoiçiqin, Rakiqin, Veselinoviqin etj., që zbatojnë politikën e Vuçiqit në Veriun e Kosovës, barbarisht sulmuan forcat e paqes, të rendit dhe gazetarët; ata plagosën nëntëdhjetë ushtarë të KFOR-it sipas shefit të NATO-s, Stoltenberg madje dhuna e tyre ishte aq mizore, sa një ushtar hungarez e lanë pa njërën këmbë! Krim! Ja, kjo është politika e “paqes” së cilës i referohet Vuçiqi në të gjitha fjalimet publike zyrtare të tij, që në realitet, shqim janë fjalime narciste, hipokrite e aq ironike sa edhe karagjoze. Qesëndi e sqimë.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për dialogun kanë bashkëpunim sekret me politikën serbe ngase me të piqen me kryeproblemin që është: mosnjohja e Kosovës shtet i pavarur, andaj edhe veprojnë, propagandojnë dhe ndjekin rrugën e Vuçiqit. Ata përgatitën terrenin e stilit politik dhe rrjedhojat e improvizuara të tumiret padrejtësia e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat, nga ata e ato që i përmbahen politikës shkencore, d.m.th. të vërtetës e jo ireales, u pritën me shumë kritika nga shumë eurodeputetë, ambasadorë, profesorë universitarë, njohës specialistë të ecurive politike ndërkombëtare etj.
Si konkretizim: deputetja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alica Kearns, duke folur për krizën politike në Veriun e Kosovës, shtoi se fajtori kryesor është Beogradi, sepse nuk i lejoi serbët të dalin në zgjedhje; ajo vuri në dukje se “masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të rrezikshme dhe të padrejta” (Telegrafi).
Por, reagimi real i deputetes britanike nuk qe i pranueshëm për Vuçiqin, sepse ai nuk e do të vërtetën; ai pret të pranohet vetëm stili i tij fiktiv dhe larg çdo realiteti sikundër i miratohet nga Lajçaku, Borrelli etj. prandaj e kundërshtoi edhe fjalimin korrekt të deputetes Alica! Njohësi i shquar i proceseve politike të Ballkanit Perëndimor- Jakub Bielamowicz, ndërhyrjes kërcënuese të A. Vuçiqit, që ia bëri kryetares së Komitetit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar- A. Kearns, e quajti: “… sulm i turpshëm nga presidenti i Serbisë- A. Vuçiq”. Dhe jo vetëm kaq.
Kritikat e këtilla kundër emisarëve europianë përkitazi me padrejtësitë që po i bëhen Kosovës nga kulimat (njerëz të pacipë e dinakë) mund të vihen re përditë në mediet e takimet zyrtare të nivelit të lartë europian e amerikan. Qe real e persuasiv edhe eurodeputeti i Parlamentit Europian, austriaku Thomas Waitz, i cili, në intervistën për emisionin “Ballkan Talks”, ndër të tjera, tha: “… emisari i BE-së për dialogun (Kosovë-Serbi) Miroslav Lajçak po e mbështet hapur Serbinë kundër Kosovës”.
Se me sanksionet e BE-së Kosovës po i bëhet padrejtësi e madhe me këtë vendim të paargumentuar, kundërshtoi edhe eurodeputeti gjerman, Reinkard Butikofer me ç’ rast vuri në dyshim kredibilitetin e përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell në misionin e ndërmjetësimit në dialogun Kosovë-Serbi: “U vunë sanksione ndaj viktimës (Kosovës), por jo ndaj agresorit: Vuçiqit e Dodikut”, theksoi R. Butikofer.
Qeveria e Vuçiqit, edhe publikisht, del me qëndrimin e mbrojtjes së kriminelëve serbë. Ajo kërkon lirimin e të gjithë të arrestuarve pa e marrë parasysh faktin se ata akuzohen për veprat terroriste dhe pavarësisht se kundër veprimtarisë së tyre korruptive, të kontrabandës me armë zjarri e drogë etj. bëhen kritika e ngrihen protesta nga qytetarët serbë.
Disa ditë më parë, në oborrin e Komunës së Veriut, u hodh një granatë dore dhe dëmtoi veturat zyrtare të policisë. Aktet e këtilla terroriste në komunat veriore janë shumë të shpeshta. Ndërhyrja e policisë së shtetit për t’i kapur autorët e krimeve, nga zyrtarët e lartë të BE-së, quhet “veprim i njëanshëm”, kurse nga politika e Beogradit kualifikohet “si presion mbi serbët!” Befasi tejet e madhe, qesharake, antiligjore dhe absurde.
E pabesueshme, por aksiomë. Kryetari i shtetit serb i bën kërkesë Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken që Qeveria e Kosovës t’i lirojë serbët e arrestuar për veprat kriminale për të cilat (vepra) në shtetet demokratike dhe ku funksionon shteti ligjor, siç është Kosova, për lirimin ose dënimin e të arrestuarve për krimet e ndryshme, nuk vendos Qeveria, por organet e drejtësisë mbi bazat ligjore; për këso veprash Qeveria intervenon vetëm në shtetet diktatoriale e totalitare sikur është Serbia nën qeverisjen despotiste të Vuçiqit!

Makina me targat BG plot armë!
Dhe, kriminaliteti i komplotistëve serbë në komunat veriore me shumicën e banorëve serbë të shtetit të Kosovës, do të vazhdojë të lulëzojë e të labërgohet derisa e ka mbështetjen në heshtje të drejtuesve europianë të dialogur midis dy shteteve fqinje. Beogradi zyrtar është burim i vrullshëm i furnizimit me mjetet e ekzekutimit të akteve terroriste në Kosovë. Kjo strategji e veprimit kriminal është parë e konkretizuar në terren dhe është zbuluar nga policia e shtetit; kjo përpjekje subversive sikur u provua të kalojë në konspiracion edhe nga përfaqësuesit e BE-së, edhe nga politika terroriste e Vuçiqit. Megjithëkëtë, e vërteta u kap nga siguria e shtetit: makina e tipit Audi A6 me targat e Beogradit plot me armë të ndryshme, disa mijëra fishekë e mjete të tjera shpërthyese vrastare u gjet në afëri të Komunës së Zveçanit.
Armatimi i sjellë nga Beogadi, sipas urdhrit të komandantit suprem të armatës serbe, Aleksandër Vuçiq, është pararendje e ekzekutimit të akteve terroriste në Kosovë. Këto (armë) janë mjetet e “paqes” së Vuçiqit. Pra, demagogji tejet e rrallë, e cila përditë po demaskohet më së shumti nga një përqindje e madhe e qytetarëve serbë në Kosovë dhe në Serbi.
Një habi të madhe, shumë të madhe paraqet e dhëna e heshtjes së udhëheqësve të dialogut (Borrell-Lajçak), të cilëve nuk u bëri fare përshtypje tentimi e dështimi për t’i pajisur me armatimin ushtarak komplotistët terroristë serbë të Veriut të Kosovës, porse fajësojnë policinë që i heton dhe i zbulon veprimet kriminale, që bëhen sipas diktatit të Vuçiqit. Del e kuptueshme madje e faktuar se për ç’arsye politika e Beogradit e kërkon tërheqjen e policisë së Kosovës nga komunat veriore? E shtron këtë vetëm për të siguruar lirinë e veprimtarisë terroriste kundër organeve të rendit në këtë anë të Kosovës me qëllim që ta cenojë sovranitetin territorial të shtetit. Sipas drejtorit të policisë së Kosovës G. Hoxha, armatimi i sekuestruar është i prodhimit serb. Ai shtoi se “pesëmbëdhjetë granata janë të prodhimit të vitit 2021 dhe dyshohet se janë përdorur në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj. Pranë makinës me armatimin ushtarak janë parë përfaqësues të organizatave terroriste serbe: të “Mbrojtjes Civile”, e cila drejtohet nga kryeterroristi Stevan Paviçeviq, tani i arrestuar dhe “Brigada e Veriut” duke e përfshirë këtu edhe Listën Serbe si flamurtare e veprimtarisë terroriste që është.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde ishte i habitur nga dhuna e tmerrshme e protestuesve serbë ndaj gazetarëve në Leposaviq. Ai, me shumë të drejtë, reagoi dhe shtoi: “Brutaliteti i kësaj skene është tronditës” dhe vazhdoi: “fatkeqësisht nuk pashë ndonjë reagim nga përfaqësuesit e Listës Serbe për ta dënuar dhunën.” Por, si duket, ambasadori ende nuk ka informacione të duhura se kush është Lista Serbe? Ajo është organizatë terroriste, krerët e së cilës (Rakiq e Radoiçiq) janë hëpërhë kriminelët më të rrezikshëm në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në Europë nga të cilët po distancohen qytetarët serbë të Kosovës. Ata janë prijës të organizimit të dhunës, prandaj nuk pritet prej tyre që ta dënojnë dhunën.
Si më tej?
Për ta trupëzuar politikën e paqes e të realitetit (jo vetëm në teori si deri më tash) në terren, faktori ndërkombëtar duhet t’i vërë në zbatim dy ndërhyrje: 1. Përderisa drejtuesit e dialogut mendojnë dhe veprojnë pa të drejtë se arrestimi i kriminelëve serbë është “ i njëanshëm dhe i paligjshëm”, kjo do të thotë se ia mbajnë anën Vuçiqit dhe miratojnë politikën serbo – ruse të rrëmbimit me dhunë të territoreve të shteteve fqinje sikundër pandeh politika aktuale serbe e Beogradit për Veriun e Kosovës, është iluzore të pritet se mund të krijohet stabiliteti politik në marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Ndërhyrja: të lirohen drejtuesit e dialogut të pasuksesshëm!
2. Faktori ndërkombëtar t’ia tërheqë vërejtjen Vuçiqit që të mos e mashtrojë veten e shtetin me përrallat se Kosova është, siç thotë ai, “pjesë e Serbisë”, sepse për statusin e saj juridik dhe politik është zhvilluar një luftë e armatosur, të cilën e ka humbur Serbia madje e ka nënshkruar kapitullimin në qershorin e vitit 1999 në Kumanovë.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe është njohur shtet i pavarur nga mbi njëqind e dhjetë shtete si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Vuçiqi duhet ta ketë të qartë se çdo pretendim për të uzurpuar ndonjë pjesë të territorit të Kosovës do të thoshte se Beogradi zyrtar ndjek rrugën e Rusisë për të pushtuar territor të huaj dhe do të hapte luftë të re nga e cila do të ndahej humbës si në vitin 1999.
Qeveria e Kosovës, tani e tutje, të gjitha veprimet politike rreth dialogut me Serbinë duhet t’i zhvillojë në bashkërendim të ngushtë me ShBA-në, posaçërisht në ditët vijuese kur pritet ta marrë detyrën i emëruari i ri i kryetarit Biden, Jim O’Brien në pozitën: Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike.
Sikundër dihet, diplomati i ri amerikan është njohës i thellë i ecurive politike që nga vitet e 90-ta në Kosovë dhe në Serbi. Ai ishte këshilltar i Sekretares së Shtetit Medlin Olbrajt në Konferencën e Rambujesë në të cilën është i njohur dhe madje historik për Kosovën roli i saj në këtë Konferencë. Dihet se këtu qëndron edhe kontributi i këshilltarit Jim O’Brien.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e…