Emisari gjerman përgëzon Kurtin për menaxhimin e kujdesshëm të situatës në veri
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Temë qendrore e takimit ishte sulmi terrorist i djeshëm ndaj Policisë së Kosovës, nga i cili është vrarë në krye të detyrës, rreshteri Afrim Bunjaku.
Kryeministri Kurti e ka njoftuar Sarrazin me informacionet më të fundit në lidhje me sulmin e djeshëm dhe veprimet e institucioneve të sigurisë për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Ndërsa emisari Sarrazin ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës si dhe ka dënuar sulmin e djeshëm, duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës.
Ai gjithashtu e ka përgëzuar kryeministrin për qasjen e matur dhe menaxhimin e kujdesshëm të situatës. Kryeministri Kurti ka falënderuar emisarin Sarrazin për vizitën e menjëhershme dhe për mbështetjen e Gjermanisë.