Emisarja Hrebickova: Çekia përkrah perspektivën e Kosovës drejt integrimit në BE
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar emisaren e veçantë të Ministrisë së Jashtme të Çekisë për Ballkanin Perëndimor, Janina Hrebickova, me të cilën ka diskutuar për procesin integrues të Kosovës dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
Hoxha ka theksuar se e ardhmja e Kosovës mbetet ngushtë e lidhur me integrimin në BE dhe në përqafimin e vlerave euroatlantike.
Ajo ka theksuar se perspektiva evropiane e Kosovës, por edhe e gjithë rajonit është konsensus i brendshëm i të gjitha shteteve anëtare gjë që është rikonfirmuar në strategjinë e zgjerimit te BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa, emisarja çeke, Janina Hrebickova, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës në procesin integrues në zbatimin e MSA-së dhe reformat e ndërmarra, duke theksuar se Republika Çeke do të vazhdojë të mbështesë Kosovën si pjesë e perspektivës integruese të Ballkanit Perëndimor duke mos përjashtuar asnjërin vend.
Ministrja Hoxha e ka falënderuar Hrebickova për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës çeke ndaj Kosovës dhe rajonit.
/Epoka e re/