Emmanuel Macron në hall
Andreas Noll
13 minuta e dëgjuan me vëmendje presidentin e tyre “jelekët e verdhë” dhe pastaj e kuptuan. Mesazhi i tyre në media direkt pas fjalimit të Macron: “Nuk mjafton”. Pas katër javësh protestash masive, shumë qytetarë të revoltuar panë që mund të arrijnë diçka me kërkesat e tyre dhe me sa duket u është hapur oreksi.
Presidenti vetë në fjalimin e tij bëri një përulje retorike para halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve të vet. Ai tha se merrte përsipër “një pjesë të përgjegjësisë” dhe u kërkoi ndjesë francezëve për “fjalët lënduese”. Për të prezantuar më pas një listë me masa që kishin synim ta ulnin presionin e protestave, por që do t’i shkaktonin qeverisë vështirësi në nivel evropian.
Parisi kishte lajmëruar që më parë në Bruksel për vitin 2019 një borxh të ri prej 2,8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), por premtimet e bëra rishtazi ndaj protestuesve do ta ngarkojnë buxhetin e shtetit me nga dhjetë miliardë euro në vit. Deficiti kështu mund të rritet në 3,5 për qind, duke shkelur qartazi kriteret e Maastricht-it. Dhe pikërisht Macron, që e nisi detyrën me premtimin se më në fund do t’i respektonte rregullat e BE-së.
Dhurata të shtrenjta për qytetarët
Konkretisht, qeveria planifikon rritjen e pagës minimale me 100 euro duke filluar që nga data 1 janar 2019. Me një pagë minimale neto prej 1185 euro në muaj shteti francez garanton që sot një nga pagat minimale më të larta në OECD. Shkencëtarët e kishin paralajmëruar më parë Macronin dhe kryeministrin e tij, Edouard Philippe, për pasojat negative që mund të kishte një rritje e mëtejshme e pagave. Presidenti tani premton se rritja e pagave për 1,6 milionë punëmarrës nuk do t’i rëndojë punëdhënësit dhe bën një llogari shumë të ndërlikuar.
Që para disa ditësh qeveria kishte premtuar një rritje të pagës minimale me 1,8 për qind, që do të thotë afro 20 euro. Nga ulja e tarifave të sigurimeve shoqërore dalin 20 euro të tjera. Një rritje e shtesave mbi pagën nga ana e shtetit që ishte planifikuar për t’u bërë në vitet e ardhshme me hapa graduale, tani do të vijë qysh në vitin 1.1.2019. Janë afro 60 euro për familjet me të ardhura të ulëta. Nuk dihet se a do të tregohen të kënaqur protestuesit me këtë rritje, sepse prej saj nuk do të përfitojnë të gjithë punëtorët me pagë minimale.
Mesazh për pensionistët
Shtresat e mesme do të përfitojnë nga një rregull i ri për orët e zgjatura. Në të ardhmen mbi to nuk do të ketë as kontribute për sigurimet shoqërore e as tatime. Këtë rregull e kishte vënë dikur edhe presidenti konservator Nicolas Sarkozy, por e kishte hequr pasardhësi i tij, François Hollande, në kabinetin e të cilit bënte pjesë edhe Macron.
Masa e tretë u drejtohet pensionistëve të indinjuar, të cilët prej muajsh ankohen për rritjen e tatimeve sociale (CSG). Kjo rritje do të hiqet sërish për pensionet që janë nën 2000 Euro (pensioni mesatar në Francë: afro 1400 Euro).
Elita politike e Francës ende nuk ka rënë dakord për këto plane. Ndërsa disa përfaqësues të opozitës bëjnë thirrje për mbylljen e protestave, kundërshtari kryesor i Macronit, ekstremisti i majtë, Jean-Luc Mélenchon, nuk sheh asnjë shkak. Ai beson se lëvizja sociale është shndërruar prej kohësh në një lëvizje politike që ka për synim vetë presidentin, të cilin ata e quajnë “presidenti i të pasurve”. Meqenëse “jelekët e verdhë” nuk kanë askënd në krye, por koordinohen vetëm nëpërmjet internetit, fundi i protestave nuk mund të bëhet që sot me nesër.
“Shpëtoni ushtarin Macron”
Por, në fjalimin e tij, Macron duhet të jepte përgjigje jo vetëm për shpërndarjen e të ardhurave, por edhe për stilin e drejtimit të tij. Lëvizja “jelekët e verdhë” kanë tematizuar edhe stilin e qeverisjes së tij, analizon Henrik Uterwedde, një ekspert për Francën. “Kjo është ana tjetër e medaljes së sistemit francez të qeverisjes dhe të presidentit, që pushteti është tepër i përqendruar, aq shumë saqë shumë shpesh krijohet përshtypja se presidentët janë të vetmit që e dinë se çfarë i bën mirë vendit. Presidentët përpiqen ta ndryshojnë këtë vend pastaj nga lart, pa u marrë vesh me shoqërinë dhe sindikatat, partitë dhe komunat.”
Macron tani premton se do t`i përfshijë shumë qytetarë në vendimmarrje. Për këtë ai do të kërkojë kontakt me kryetarët e bashkive në mbi 35 000 qytetet dhe komunat e vendit për të bërë me ta një “kontratë të re për kombin”. Këto janë tone të reja nga një president që tre javë më parë as që denjoi të shkonte në takimin e kryetarëve të bashkive.
Nuk dihet ende se sa thellë do të shkojë Macron me reformën e sistemit politik. Mbetet e hapur edhe se a do t`i qetësojë reforma konfliktet e rishpërndarjes që po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ndër publicistët francezë dëgjohet prej kohësh frika se një dështim i një presidenti social-liberal do t`ua sheshonte ekstremistëve rrugën drejt pushtetit. Se sa i madh është ky shqetësim, kjo doli në pah edhe nga apeli i flaktë i eseistit liberal Nicolas Baverez: “Shpëtojeni ushtarin Macron” ishte titulli i shkrimit të tij mbi presidentin që ndodhet në hall të madh./dw/