Emmerson: Nuk ka dëshmitarë e prova kundër Veselit
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, është duke dhënë deklaratën hyrëse.
Ai tha se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë dhe as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.
“Asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë parë Kadri Veselin të bënte diçka të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë Veselin në Kukës duke marrë në intervistë një të ndaluar. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat e dëshmitë e tij se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të Veselit dhe ai kështu ishte shprehur edhe vetë. ZPS tani e pranon se ky dëshmitar e ka identifikuar gabimisht Veselin. Qëndrimi i ZPS është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për këtë gjë. Ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, ka theksuar avokati Ben Emmerson.
Sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë që Veseli, si shef i zbulimit, “ka autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo vepër kriminale, apo të ketë marrë ndonjëherë ndonjë raportim për kryerjen e ndonjë krimi”.