Emmerson: S’ka prova se Veseli ishte pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”
Avokati Ben Emmerson tha se më 3 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar prezantoi një shkrim dore të gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, që fliste për fushën e zbulimit.
Por, ai tha se në këtë letër, të cilës nuk i dihet autori, nuk përmendet emri i klientit të tij, Kadri Veseli, dhe prokuroria nuk ka asnjë provë se ai ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“Fakti që ky dokument, që nuk ja dimë prejardhjen, që prokuroria nxori për të përshkruar çështjen kundër Veselit për rolin që luante si shef i zbulimit, tregon se nuk kanë asnjë provë konkrete lidhur me zbatimin e kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Ky shkrim as që e përmend Veselin”, tha Emmerson.
Ai tha se ZPS-ja ka ngritur çështjen ndaj Veselit duke u mbështetur vetëm në faktin se ai kishte qenë shef i zbulimit, por sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë se klienti i tij ka kryer ndonjë nga krimet e pretenduara, apo ka qenë në dijeni për kryerjen e tyre.
Veseli, sipas tij, po ashtu nuk ka shkruar, autorizuar apo ka pasur në posedim ndonjërën prej komunikatave të UÇK-së, që prokuroria pretendon se janë përdorur për të shënjestruar kundërshtarët e UÇK-së.