Emmersoni vazhdon me kritika: Prokuroria e Speciales ka dalë jashtë kontrollit, gjykatësi po e keqmenaxhon situatën
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e ka nisur me kritika të ashpra edhe pjesën e dytë të seancës në Speciale, kritika këto që iu drejtuan Prokurorisë së Specializuar.
Ai ka thënë se prokuroria nuk e di as vet se kur do të dorëzojë dosjen paraprake, dhe në këtë situatë, gjykata duhet të veprojë me urdhra të prerë.
“Parashtrohet pyetja në qoftë se Prokuroria është e gatshme të dorëzojë dosjen paraprake. Nuk është detyrë e gjykatësit të pyes Prokurorinë, por ta urdhërojë atë. Ne e dimë që asgjë që thotë prokuroria është e gabueshme. Ju si gjykatës duhet t’i vendosni afatet. Prokuroria në konferencën e pestë ka thënë se dosjen do ta ketë në mes të tetorit”, ka thënë ai.
Më tutje, Emmersoni ka përmendur deklaratën e mëhershme të prokurorisë se gjykimi do të fillojë në qershor të këtij viti, por që më pas gjërat kanë ndryshuar krejtësisht.
Në këtë situatë, Emmersoni ka thënë se prokuroria ka dalë jashtë kontrolli.
“Ka një vit që Prokuroria thotë se gjykimi është i gatshëm të fillojë në qershor të këtij viti. Urdhëroni që prokuroria të dorëzojë dosjen paraprake në mes të tetorit, sepse përndryshe do t’i bije se ju po bëni ftesë. Prokuroria ka pasur të gjitha mjetet por kanë dalë jashtë kontrollit. Ata na thanë se nga mesi i tetorit do të jenë të gatshëm. Ju duhet ta dini se ne duhet të kemi një pasqyrë të çështjeve që na presin. Është një mungesë e parashikueshmërisë. Ju ia lini prokurorisë të zgjedhë se kur janë të gatshëm të dorëzojnë dosjen paraprake, ky është një keqmenaxhim, me gjithë respektin, dosjet duhet të urdhërohet që të dërgohen deri më 31 tetor. Po bëhet thuajse 1 vjet që të akuzuarit ndodhen në paraburgim dhe ju me siguri që ndani mendimin tim se pas 1 viti të akuzuarit kanë të drejtë të dinë se cila është çështja kundër tyre”, ka thënë Emmersoni.