Emrat e 24 prokurorëve të rinj dërgohen për dekretim tek presidentja Osmani

31 tetor 2024 | 13:10

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 10 vota për dhe 1 abstenim, ka votuar raportin e Komisionit për rekrutimin e prokurorëve të rinj.

Kësisoj, 24 emrat e prokurorëve të zgjedhur do të dërgohen për dekretim tek Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, ka thënë se vota e tij është abstenim, duke pasur parasysh faktin se sistemi ka shumë nevojë për prokurorë të rinj, në të kundërt vota e tij do ishte kundër.

Kjo sipas tij për shkakun e ecurisë e procesit. Krasniqi ka thënë se moslejimi i shoqërisë civile dhe gazetarëve në monitorimin e këtij procesi, është gabim shumë i madh.

“Ka qenë edhe publike që shoqëria civile nuk është lejuar me monitoruar, ka qenë gabim shumë i madh. Shoqëria civile mund të përfshihet në cilëndo fazë që ata e konsiderojnë të rëndësishëm, shpresoj mos të ndodhë më”, ka thënë ai në mbledhjen e 256-të të KPK-së të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), përmes një komunikate për medie, më 9 shtator, kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me moslejimin e monitorimit të procesit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit nga ana e Komisionit për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Paraprakisht, për këtë raport të komisionit, ka raportuar kryetari i Komisionit rekrutues, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka treguar edhe shpërndarjen e prokurorëve nëpër prokurori.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…