Emrat e famshëm të Hollivudit në mbështetje të Kamala Harris
Një numër i konsiderueshëm i të famshmëve amerikanë kanë nxituar të dërgojnë mesazhe për presidentin amerikan, Joe Biden, pasi ai njoftoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Menjëherë pas kësaj, kanë deklaruar publikisht mbështetjen e tyre për zëvendëspresidenten Kamala Harris në garën për nominimin.
Prezantuesi dhe komediani, Jon Stewart, e quajti Biden një “legjendë”, ndërsa aktori Robert De Niro tha se vendimi i tij ishte një “akt i politikës mendjemprehtë dhe patriotizmit vetëmohues”. Aktorja fituese e Oskarit, Barbara Streisand, lavdëroi Biden, duke thënë se ai do të hynte në histori si një njeri që pati arritje të rëndësishme në mandatin e tij katërvjeçar. Këngëtari John Legend tha se ishte mirënjohës për patriotizmin që Biden kishte treguar duke u larguar dhe tregoi mbështetjen e tij për Harris: “Ajo është gati për këtë luftë dhe unë jam i emocionuar ta ndihmoj në çdo mënyrë që mundem”, u shpreh ai. Ndërsa këngëtarja Katy Perry ka shpërndarë një video në Instagram ku këndon “It’s a woman’s ëorld”, si referencë për të treguar mbështetjen e saj për Kamala-n.
Hollywood ka qenë prej kohësh një burim parash për demokratët, por u largua nga Presidenti Biden, javët e fundit. Disa emra të mëdhenj tërhoqën publikisht mbështetjen e tyre nga fushata e tij dhe kërkuan që ai të zëvendësohej. Njëri prej tyre është Aaron Sorkin, krijuesi i dramës politike amerikane The West Wing, i cili u bëri thirrje demokratëve të emërojnë Mitt Romney. Por tashmë ka ndërruar mendim, duke thënë: “Unë i ndryshoj të gjitha. Harris për Amerikën!”. Një tjetër emër i rëndësishëm është aktori George Clooney, i cili në fillim të këtij muaji tregoi “dashurinë” e tij për Joe Biden, por tha se mosha e tij dhe gafat publike nënkuptonin se nuk do të fitonte në nëntor. Clooney ende nuk ka komentuar që kur Biden u largua.