Emri i Elizabeta Hasanit vendoset në pllakën përkujtimore
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është vendosur emri i Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore për viktimat e shpërthimit në tregun e qytetit më 13 mars 1999.
Elizabeta Hasani e lindur më 4 maj 1994, nuk ishte përfshirë në mesin e viktimave, kur më 13 mars të këtij viti ishte zbuluar pllaka përkujtimore.
Në pllakën përkujtimore ishin shkruar vetëm 6 emra të viktimave shqiptare, por jo edhe emri i shtatë, që ishte vajza 5-vjeçare e një familjeje rome.
Kjo kishte ngjallur reagimin e organizatave për të drejtat e njeriut si dhe familjarëve të Elizabeta Hasanit.
Nga komuna patën deklaruar se ky lëshim ka ndodhur për shkak të mungesës së informatave.
Vendosjen e emrit të saj në pllakën përkujtimore e bënë, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Kryetari Bahtiri ka thënë se mospërfshirja e emrit të Elizabeta Hasanit “ka ndodhur pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve”.