Emri i Nënë Terezës, letërnjoftimi i çdo shqiptari në botë
Emri i Nënë Terezës është letërnjoftimi i çdo shqiptari në botë, pasi bota nuk njeh shqiptar tjetër më të famshëm se ajo. Kështu u tha të dielën në shënimin e 108-vjetorit të lindjes së Shën Terezës, ku është bërë edhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko dhe ekspozita dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”.
Me këtë rast, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka lavdëruar punën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve që ka botuar këtë libër në ditëlindjen e Shën Terezës.
Ai ka thënë se më e pakta që mund të bëjnë për një person që jetën ia fali dashurisë për të varfrit, të sëmurët është t’ia festojnë ditëlindjen.
“Emri i Nënë Terezës është letërnjoftim i çdo shqiptari në botë”, ka thënë ministri Lekaj, duke shtuar se bota nuk njeh shqiptar tjetër më të famshëm se Nënë Tereza.
Ndërkaq Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës ka thënë se sot shqiptarët festojnë ditëlindjen e një motre të madhe siç është Nënë Tereza.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe një nga tre autorët e librit, Skender Asani, u shpreh se Shën Tereza ka lënë pas vetes mësimin më të mirë se, përkundër që u bë nënë e gjithë botës, mbeti nëna kombëtare e shqiptarëve.
Ai ka thënë se shqiptarët janë komb me fat që e kishin një Nënë Terezë, kurse ka pohuar se shqiptarët shkupjanë janë dyfish të nderuar që, përveç lidhjes etnike, e kanë edhe lidhjen gjeografike.
Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ndarë një dedikim me rastin e 108-vjetorit të lindjes së humanistes shqiptare Shën Tereza. “108 vjet më parë u lind Gonxhe Bojaxhiu, gruaja e madhe shqiptare, që u bë misionare dhe humaniste në përmasa botërore – Nëna Terezë, e shpallur Shenjtore nga Selia e Shenjtë, Vatikani. Ne mburremi me shpirtin human të Shën Terezës, me përkushtimin e saj për njerëzit pa mbështetje, në nevojë, për qeniet njerëzore që meritojnë dashuri dhe trajtim dinjitoz, pavarësisht gjendjes sociale dhe shëndetësore”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.
Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.
Nëna Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saj jetësore, Nëna Terezë nga Kisha e Shenjtë në Vatikan u shpall Shën Tereza.