En-Nesyri i bashkohet skuadrës së Mourinhos në Stamboll
José Mourinho siguroi një tjetër përforcim për Fenerbahçen, këtë herë për qendrën e sulmit dhe ishte nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit turk.
Gati 20 milionë euro u shpenzuan për Youssef En-Nesyrin, i cili erdhi nga Sevilla dhe nuk e fshehu lumturinë për këtë transferim, i cili është i pari për të jashtë futbollit spanjoll.
“Kishte shumë skuadra të interesuara për mua, por ishte e rëndësishme të vija te Fenerbahçe, jam shumë i lumtur që jam këtu. Ndihem shumë mirë me vendimin që kam marrë. Para se të vija, fola me José Mourinhon, presidentin dhe drejtorin sportiv, Mario Branco”, tha En-Nesyri.
Pati disa javë negociata intensive mes klubit turk dhe andaluzianëve, sulmuesi maroken theksoi: “Procesi zgjati pak, sepse kishte negociata mes klubeve. Sigurisht që përfundimi i këtyre negociatave nuk është i lehtë. Kjo është arsyeja pse afati ishte pak më i gjatë, por më në fund klubet arritën një marrëveshje. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Unë do të punoj shumë dhe do të jap gjithçka”.
Kur u pyet për rivalin e tij të drejtpërdrejtë në majë të sulmit Edin Dzeko, përgjigja e futbollistit nuk la vend për interpretim: “E rëndësishme është skuadra. E di shumë mirë për çfarë jam i aftë, kam ardhur këtu për të fituar trofe. Ky është objektivi im i vetëm”, mbylli deklaratën e tij lojtari maroken.